Telegrafi

Lufta në Siri: Ia vranë fëmijët, nëna hakmerret si snajperiste (Video)

Gruaja të cilën në qytetin e shkatërruar të Aleppos të gjithë e njohin si “snajperistja”, ndërsa bashkëluftëtarët e thërrasin Guevara, u bashkua me kryengritësit kur fëmijët e saj u vranë në një sulm ajror.

"Nuk do ta harroj kurrë gjakun e fëmijëve dhe ju premtoj se do të hakmerrem për ta”, ka thënë 36 vjeçarja me origjinë nga Palestina, e cila ka humbur vajzën shtatëvjeçare dhe djalin dhjetëvjeçar.

Pavarësisht nga fakti se kalon ditë të tëra në front – në qytetin ku me muaj vazhdon gjakderdhja – dhe mbanë veshur uniformë kamuflazhi, ajo ende mban grim dhe i ka të rregulluara me kujdes vetullat, raporton ditorja britanike The Telegraph. Përveç kësaj, ajo duket se e ka pranuar plotësisht realitetin e ri të jetës së saj.

"Kam parë me qindra kufoma në muajt e fundit. Shumë njerëz u vranë gjatë sulmeve ajrore dhe nga granatimet. Disa herë vet kam qenë pranë bombardimeve dhe e di se vdekja është shumë afër”, thotë ajo.

Ajo tregon se fëmijët e saj u vranë në një shtëpi që u godit nga një predhë artilerie.

"Djali im kishte frikë nga zhurma dhe i thashë atij se unë do ta mbroj të ardhmen e tij, e tash jam betuar se do të marr hak për të”, thotë Guevara.

Një nga gratë e pakta në front tha se “puna” e re e saj kërkon durim, shpejtësi dhe inteligjencë, ndërsa ka shtuar se i pëlqen kjo që bën.

"Më pëlqen lufta, e kur dikush nga bashkëluftëtarët e mi vritet, ndjej nevojë për t’u hakmarrë. Nuk gjuaj derisa të gjithë civilët nuk largohen nga rrugët. Gjuaj vetëm kur ushtarët janë në qytet. I kisha katër deri në pesë shënjestra të qëlluara, e ndjenja është e mirë. Kur qëlloj bërtas: ‘kjo’”, thotë Guevara, duke shtuar se pas gjithë këtyre përjetimeve shpesh zgjohet e lotuar.

Kjo siriane me origjinë palestineze për herë të parë u njoh me armët në kampin ushtarak të Hamasit në Liban, ndërsa kundër regjimin e Assadit e ka luftuar edhe më herët.

"Kur isha duke studiuar, kemi formuar një parti sekrete palestineze, si dhe gazetat e opozitës", thotë Guevara. /Telegrafi/