Në një shkrim në revistën National Interest, thuhet se Perëndimi nuk do të lejojë sferat e ndikimit rus në Evropë. Një nga sferat e tilla është Gjeorgjia, Bjellorusia dhe Serbia.
“Të gjitha këto shtete janë pjesë e planeve të Perëndimit, përfshirë SHBA-të, për të shpërbërë Serbinë dhe futjen e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO”, thuhet në tekst, transmeton Telegrafi.
Sipas shkrimit, lufta mes Rusisë dhe Perëndimit është e pashmangshme, sidomos kur dihet se interesat e saj Rusia i mbrojti me luftë në Ukrainë dhe në Gjeorgji.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Moska mbrohej nga 1,900 kilometra territor nën kontroll, e tash trupat e NATO-s janë 320 kilometra larg kryeqytetit rus. Po ashtu, Leningradi dikur nuk kishte armik në distancë prej 1,600 kilometrave e tash, ky qytet, që sërish quhet Shën Petersburg, është 160 kilometra pranë trupave të NATO-s. Ndërkaq, Perëndimi nuk ka treguar asnjëherë se ku do të ndalen planet e rrethimit të Rusisë.
Në shkrim thuhet se iniciativat e presidentit Donald Trump për të rregulluar raportet me rusët janë të vdekura, sepse elita amerikane është antiruse, për çka priten sanksione të reja kundër Rusisë dhe zgjerim tjetër i NATO-s. /Telegrafi/