Telegrafi

Lufta kundër korrupsionit vlerësohet e dobët

Kosova është vlerësuar negativisht në luftën kundër korrupsionit edhe nga një organizatë ndërkombëtare. Kosova ka marrë 67 pikë, që konsiderohet “notë e dobët”, në raportin e organizatës ndërkombëtare me seli në SHBA, “Global Integrity”. Ky vlerësim e radhitë Kosovën në listën e vendeve që kanë integritet të dobët dhe që janë të ndikuara nga korrupsioni, papërgjegjësia dhe jollogaridhënia.

Sipas raportit, qeverisja është faktori kryesor për këtë gjendje. “Një vit pasi shpalli pavarësinë nga Serbia, Republika e Kosovës është një demokraci e brishtë, e cila vuan nga qeverisja me dobësi, papërgjegjshmëri dhe jotransparencë.

Shumica e vlerësuesve të dobësive janë në nivelet dhe fushat të cilat kanë përgjegjësinë politike dhe financiare të Qeverisë. Anëtarët e ekzekutivit dhe të legjislativit kanë imunitet nga ndjekja penale dhe qytetarët kanë qasje të kufizuar në shpalosjen e të dhënave dhe aseteve të zyrtarëve”, thuhet në raportin e publikuar këto ditë. Një shkëndijë pozitive, sipas raportit, është Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila relativisht ka mbështetje të mirë. /koha/