Site icon Telegrafi

Lufta kundër korrupsionit në Maqedoni është e pamundur pa veprimin e institucioneve

Nëse të gjitha institucionet relevante, nuk e luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin, atëherë puna e Komisionit për anti-korrupsion është e pavlefshëm. Kështu vlerëson ekspertja Sllagjana Taseva nga Transparency international. Taseva shton se institucionet e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, duhet patjetër të respektojnë konstatimet që miraton anti-korrupsioni dhe jo të veprojnë si deri më tani, duke mos marrë asnjë masë konkrete si për rastet e konstatuara për nepotizëm ashtu edhe për korrupsion.

“Kur do të konstatohet se diku nuk është zbatuar procedurë përkatëse për punësim ose për ndarjen e tenderit nuk mund të përfundojë e gjithë puna me qëndrimin se ajo është çështje personale dhe kush si të dojë le të veprojë por patjetër duhet të reagohet në mënyrë institucionale dhe në bazë të ligjit. Ne këtë ende nuk e pamë as nga pushteti ekzekutiv as nga të tjerët. Përderisa nuk fillojnë vendimet e komisionit të zbatohen në mënyrë përkatëse nuk do të kemi rezultate nga ai Komision në luftën kundër korrupsionit”, tha Sllagjana Taseva, Transparency international.

Vet kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, thotë se nuk mjafton vetëm vullneti politik i shprehur në mënyrë deklarative. Ajo porosit që institucionet relevante të veprojnë edhe në praktikë.

“Si mundet që ne të konstatojmë se është keqpërdorur e drejta diskrete se me qëllim është ndryshuar sistematizimi, se shpallja është bërë për persona të caktuar e kështu me radhë dhe pasi ne i kemi konstatuar ata punë dhe janë të qarta, në fund të ditës bordi drejtues ose mbikëqyrës i institucioneve nuk ka caktuar përgjegjësi për personin udhëheqës. Do të thotë këtu diçka, nuk është ashtu siç duhet. Prokuroritë publike ku kemi dorëzuar padi penale shumë me kujdes ti shqyrtojnë ato padi penale dhe të japin arsyetimet e tyre, për shkak se jemi dëshmitar në dy raste eklatante ku shihet keqpërdorimi i të drejtës diskrete dhe shkeljes së ligjit dhe Prokuroria publike e hedh poshtë iniciativën tonë pa arsyetim përkatës”, u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare KSHPK.

Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit vitin e kaluar deri më 25 nëntor ka hapur 638 lëndë ku ka pasur dyshime për korrupsion. Deri në këtë institucion kanë arritur 615 denoncime nga persona juridik dhe fizik, me nismë të saj ka hapur 23 lëndë ndërsa numri i lëndëve të zgjidhura ka arritur në 100. Përveç këtyre lëndëve për korrupsion, vitin e kaluar Komisioni hapi 404 raste në të cilat dyshonte për konflikt interesi. Për përgjegjësi penale të personit zyrtar anti-korrupsioni ka ngritur dy nisma, njëra është në procedurë ndërsa rasti tjetër është shpallur si i vjetërsuar./Alsat/

Exit mobile version