Site icon Telegrafi

Lufta kundër korrupsionit, analisti: Veseli në një linjë me politikat e SHBA-së

Gjatë viteve të fundit është parë që lufta kundër korrupsionit është shndërruar në një prioritet i politikës së jashtme amerikane dhe i Presidentit, Donald Trump.

Kjo është reflektuar edhe në Kosovë, ku administrata amerikane ka qenë shumë e ashpër në kritika ndaj institucioneve të Kosovës. Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett pothuajse përjavshëm poston diçka kundër korrupsionit, duke e shndërruar në top-prioritet të politikës amerikanë në Kosovë.

Lufta kundër korrupsionit tashmë është bërë edhe pjesë e betejës së fushatës zgjedhore ndërmjet partive politike. I pari që ka shndërruar në temë kryesore të programit politik dhe të fushatës është lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Hiq më larg se sot në një tubim me simpatizantë të PDK-së në Lipjan, Kadri Veseli ka thënë se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës luftohet më lehtë dhe më mirë korrupsioni.

“Me SHBA-të zhvillohet më mirë ekonomia dhe hapen vendet të reja pune; me SHBA-të integrohemi më shpejt në NATO dhe BE. Platforma ime kundër korrupsionit dhe nepotizmit është platformë e përbashkët të cilën e kanë Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump në luftën globale kundër korrupsionit” ka thënë Veseli.

Për prioretizimin e luftës kundër korrupsionit nga Veseli, analistët politikë e kanë një shpjegim shumë të thjeshtë.

Valon Syla, analist politik thotë se vizita e fundit e Veselit në SHBA ishte përcaktuese për krijimin e këtij diskursi politik.

“Po mendoj që të gjitha sondazhet kur e bëjnë matjen e opinionit korrupsioni del sikur tema që më së shumti brengos qytetarët dhe percepsioni mbi korrupsionin gjithmonë është i lartë. Një dukuri e ngjashme duhet të jetë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku hulumtimet e opinionit edhe atje qesin që çdo i pesti amerikan ka filluar që të mos i besojë më institucioneve të tyre, pra shtetërore e që kanë ndikuar në fushatën e zotit Trump. Diçka të ngjashme e kemi edhe me Ambasadën amerikane këtu ku ambasadori Kosnett shihet qartë që mbështet fushata të tipit antikorrupsion dhe bën thirrje direkt përmend emra, përmend raste gjyqësore, të cilat mendoj që zoti Veseli duket se i ka respektuar dhe në fushatën e tij të PDK-së i ka futur si pjesë apo pikën, një nga pikat kryesore të fushatës zgjedhore për vitin 2019”, tha ai.

Syla deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë ka qenë e lidhur ngushtë me Uashingtonin zyrtar dhe madje për Veselin ky vend është edhe një rol model.

Ai zbuloi se gjatë javës së ardhshme pritet që njerëz të afërt të presidentit amerikan Donald Trump të vizitojnë kreun e PDK-së, Kadri Veseli, e gjithë kjo për shkak të lidhjeve të ngushta që ka ish-kryeparlamentari me vendin mik të Kosovës.

“Mendoj që zoti Veseli e ka zgjedhur Amerikën si një rol model për partinë e tij dhe veten e tyre, edhe forma se ku është anëtarësua si parti ngjason me partinë e demokratike amerikane e cila mendoj që PDK gjithmonë e ka pasur një simpati. […] Mendoj që zoti Veseli ka lidhje me politikën amerikane gjithmonë ka qëndruar afër dhe kjo besoj që gjatë javës së ardhshme pritet që këtë parti dhe këtë fushatë ta përcjellin njerëz të afërt të Trumpit që do të jenë pjesë e vizitës së tyre javën që po vjen në Kosovë”, tha ndër të tjera Syla.

Kadri Veseli tash e disa ditë është duke folur për fushatën e tij kundër korrupsionit, si diçka që do ta bëjë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KP

Exit mobile version