Si do të jetë ecuria përfundimtare e pandemisë nuk e dimë ende, por dimë si kanë vepruar modele te ndryshme në shtete të ndryshme, duke u nisur edhe nga kapacitetet financiare dhe spitalore që kishin më parë dhe që rritën gjatë pandemisë.
Në fund të fundit, çdo gjë mbaron në një mënyrë ose një tjetër. Varianti më pozitiv, nëse ke në dispozicion financa dhe kapacitete njerëzore të larta, është Gjermania. Me kosto mesatare/të lartë për shoqërinë, ajo arriti një eficiencë të lartë të kontrollit të valës së parë dhe aktualisht rastet e reja janë nën kontroll, pa rikthim të fazës eksponenciale.
Një tjetër model për t’u studiuar është Suedia. Suedia tregoi një ecuri natyrore të suportuar nga masat e marra dhe, me kosto të ulët për shoqërinë, menaxhoi me eficiencë mesatare valën e parë dhe tashmë është në ulje konstante.
Shumica dërrmuese e shteteve, në të gjitha kontinentet, zgjodhën modelin e masave shumë të rrepta fillestare, që karakterizohen nga kosto të larta për shoqërinë, dhe menaxhuar në mënyrë më efikase epideminë gjatë valës së parë. Mirëpo, pas rihapjes, të gjitha këto vende u karakterizuan nga rikthimi i numrave të rasteve të reja, në shumicën e rasteve, madje shifra edhe më të larta se sa periudha mars-prill-maj. Këtu hyn edhe Shqipëria.
Vala e rikthimit të rasteve duket se fillon dhe bie pas disa javësh (6-8 javë si mesatare) pas fillimit të fazës eksponenciale. Shembuj janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Spanja, Belgjika, Bullgaria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Australia, Japonia dhe Hong Kongu
Shembuj të sjelljes së çoroditur, me eficiencë të ulët në kontrollin e valës së parë dhe me kosto të lartë për shoqërinë, janë patjetër: Italia dhe Mbretëria e Bashkuar
Shembuj të ecurisë natyrore pa mbështetje, janë ecuritë klasike të vendeve më të varfra, me eficiencë zero në kontrollin e situatës, por nga krahu tjetër edhe pa kosto të larta, janë: Bjellorusia, Bangladeshi, Brazili, India, Rusia dhe Meksika.
Kujdes: Situata është dinamike dhe si e tillë duhet konsideruar. Pas disa muajsh do të kemi rezultate më të qarta të ecurisë, por për momentin modelin gjerman dhe modeli suedez duket se kryesojnë listën, ndoshta të ndjekur nga modeli izraelit. Edhe ndërmjet shteteve në të njëjtin grupim ka diferenca të mëdha që duhen analizuar më në detaj. Ndërkohë bëjmë atë që kemi në dorë të bëjmë: distancë fizike (dy metra), higjienë e rregullt, maskë nëse nuk mbajmë dot distancën fizike.