Pas takimit të para dy ditëve në Lezhë, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbledhur sot në Tiranë drejtuesit e Policisë së Shtetit të pesë qarqeve: Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë.
Bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi kërkoi të jetë në fokus lufta kundër kultivimit të kanabisit, ka njoftuar Ministria e Brendshme.
“Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë dhe mënyrat për ta minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit. Zero mbështetje politike për këtë aktivitet kriminal”, tha Çuçi.
Lidhur me iniciativën mbi legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, ministri Çuçi tha se nuk ka asnjë lidhje me kanabisin për qëllime trafikimi apo për përdorim.
“Ka një tendencë për ta konfonduar disi këtë iniciativë me kultivimin për qëllime trafikimi apo rekreative. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit që të mos abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar apo qoftë dikush që e përdor këtë iniciative për të krijuar një terren për të rritur kultivimin. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm që s’ka të bëjë fare me iniciativën e legalizimit për qëllime mjekësore dhe industriale”, tha ministri Çuçi.
Gjatë takimi Ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e policisë të ketë një vëmendje të shtuar dhe rritje të forcës goditëse edhe ndaj formave alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
Njëkohësisht të intensifikohet bashkëpunimi dhe komunikimi me kryetarët e fshatrave dhe drejtuesit e pushtetit vendor.
Sot në mesditë pritet të ketë një takim tjetër me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Berat, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. /Telegrafi/