Nganjëherë, mjetet për pastrim dhe detergjentet nuk mjaftojnë që rrobat tona, enët dhe aparatet shtëpiake përsëri të jenë të pastra dhe aromatike
Megjithatë, kundërmimet e pakëndshme mund të hiqen në mënyra të tjera: me ndihmën e uthullës, sodës bikarbone (soda e bukës) dhe me mendjemprehtësi, transmeton Telegrafi.
Duart
Për heqjen e erës së hudhrës ose të varikinës nga duart, merret një lugë metali në duar (kapet me gishtërinj) dhe mbahet nën vrushkuj të ujit të ftohtë. Nëse duarve u vjen erë peshku, ato fërkohen me uthull dhe lyhen me krem hidratant.
Këpucët
Për heqje të erës së keqe të këpucëve, përdoret soda bikarbone: derdhet në brendësi të këpucës, pastaj fërkohet me një leckë të lagët, përmbysen këpucët dhe shkundet gjithë soda, lihen për disa minuta dhe mbathen.
Dhomat dhe lokalet e tjera në banesë
Në barnatoren bimore blihet esenca e eukaliptusit dhe ulet në të nga një grusht pambuku, që vendosen në ndonjë kënd të lokalit. Secilës dhomë do t’i japë aromë freskie. Nëse i keni ngjyrosur muret, erën e ngjyrës mund ta largoni po vendosët në atë lokal një kovë me ujë në të cilën qitet një lugë amoniaku dhe lihet gjatë natës.
Stofrat dhe rrobat
Era e tymit, e fërgimeve ose e parfumeve, depërton lehtë në tesha, por mjafton që me larjen e tyre në makinë larëse, përsëri t’u kthehet era e mirë. Mirëpo, nëse nuk keni kohë për larje, atëherë veshjet e tilla lihen tërë natën në ajër të pastër.
Për çarçafë të shtretërve, për mbështetëse kanapesh, për perde dhe për tapiceri, përgatitet përzierja e uthullës me ujë në përbërje një me pesë (1:5), spërkaten me spërkatëse lulesh dhe lihen për disa orë.
Enët plastike
Që të hiqen erërat e pakëndshme nga enët plastike (siç janë ato që i mbajmë perimet në frigorifer), mbushen me ujë të nxehtë e sodë bikarboni dhe lihen për disa orë, pastaj lahen. Mënyra tjetër: mbushen enët me fleta gazetash të rrudhura, mbyllen hermetikisht dhe lihen gjatë gjithë natës.
Tenxheret
Tenxheret duhet larë menjëherë pas përdorimit ose lihen të mbushura me ujë e me sapun (kështu më lehtë do të lahen). Për heqje të erërave të këqija, mbushet tenxherja me ujë të përzier me uthull të bardhë dhe lihet për të vluar për disa minuta..
Frigoriferi
Brendinë e frigoriferit duhet pastruar vetëm me ujë dhe me sodë bikarboni, sepse detergjentet mund të dëmtojnë muret anësore. Për erëra, të cilat është vështirë të hiqen vetëm me larje, përdoret: në njërin nga raftet e frigoriferit lihet kutia e hapur me sodë bikarboni. Soda i thithë të gjitha erëra. Përsëritet sipas nevojës.
Lavamani
Nëse gyp i i lavamanit është zënë ose i vjen erë e keqe, atëherë përzihet një gotë kripë dhe një gotë sodë buke, kjo masë derdhet në gyp, pastaj derdhet një tenxhere me ujë të valë. /Telegrafi/