Telegrafi

Lufta kundër coronavirusit nuk ka të ndalur, Evropa mbyllet në prag të festave të fundvitit – masat të reja për Krishtlindje dhe Vitin e Ri

Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në prag të festave të fundvitit, vendet evropiane kanë ashpërsuar masat kundër coronavirusit.

Gjermania ka hyrë në izolim total kurse Franca që deri dje ishte mbyllur pjesërisht, e ka ndërruar masën me orë policore, transmeton Telegrafi.

Masat mbrojtëse në Gjermani do të jenë në fuqi deri më 10 janar dhe gjatë kësaj periudhe do të punojnë vetëm dyqanet, barnatoret dhe bankat.

Shkollat gjithashtu do të jenë të mbyllura gjatë kësaj periudhe, e nga punëdhënësit do të kërkohet të mbyllin kompanitë e punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia.

Gjatë Krishtlindjes nga 24 deri më 26 dhjetor do të ketë një zbutje të lehtë të masave, ku do të lejohen vizitat tek familjarët deri në katër persona dhe atë vetëm te rrethi i ngushtë i familjes.

Për Vitin e Ri do të ndalohen tubimet nëpër sheshe. Sipas qytetarëve Krishtlindjet e sivjetme do të jenë krejt më ndryshe edhe nëpër kisha, ku distanca fizike do të duhet të respektohet si dhe bartja e maskave.

Këndimi nuk do të lejohet, e masat e ngjashme duhet të aplikohen edhe në xhami e sinagoga. E në Francë do të hyjë në fuqi ora policore nga ora 20:00 deri në 6 të mëngjesit, ku qytetarët nuk do të mund të largohen nga shtëpitë pa leje. /Telegrafi/