Site icon Telegrafi

“Lufta e botëve”, fuqia e mediave dhe marsi 2004 në Kosovë: Projektimi i së vërtetës

“Lufta e botëve” vazhdon të jetë subjekt trajtimi në shumë teori komploti, siç vazhdon të jetë nëpër llafe të ndejave marsi i vitit 2004 në Kosovë. Kur nuk dihet mirë shkaku dhe pasoja, dëshira përzihet me realitetin dhe njerëzit e projektojnë të vërtetën e tyre…

Agron Shala

Njerëzit papritmas mund të krijojnë bindje të shtrembëruar për realitetin. Para 70 vitesh, Orson Welles ishte shkaktar i iluzioneve të tilla. Për këtë ai nuk përdori mjetet e dhunës, as ato materiale e as politike, por mediumin e ri elektronik dhe atraktiv të asaj kohe – radion. Welles krijoi një histeri masive, mbase të parën të bërë me shkas dhe të hulumtuar mirë nga gjeneratat e ardhshme.

Masat si rrufe

Teknologjia e re mundëson transmetimin e shpejtë të informatave pa u verifikuar dhe kjo natyrisht se krijon hapësirë për thashetheme. Diçka e vogël, një rrëfim fiktiv, mund t’i trazojë masat si një rrufe. Rrufeja nuk mund të vihet nën kontroll, e rëndom as masat, humbja e kontrollit të të cilëve lë gjurmë në kujtesën dhe rrjedhat e një shoqërie.

70-vjetori i radiodramës së inskenuar nga Welles, dhe i asaj që pason, mund të duket rrëfim qesharak sot, por i rëndësishëm në kontekstin e analizimit të fuqisë së mediave elektronike dhe ndikimit që pakica mund të kenë në një shoqëri.

Diçka e ngjashme me reagimin e pavetëdijshëm që ndodhi në New York më 1938, mund të jetë marsi i vitit 2004 në Kosovë. Tre fëmijë shqiptarë mbyten në lumin Ibër, në fshatin Çabër afër Zubin Potokut të banuar me serbë. Raporti televiziv – që shfaqi fëmijën e katërt të mbijetuar dhe rrëfimin e tij se ata ndiqeshin nga një qen i lëshuar nga serbët – shkaktoi kaos në Kosovë.

Marshall Mcluhan (autori i thënies së famshme: mediumi është mesazhi), te kryevepra e tij “Instrumentet e komunikimit – media si një zgjatim i njeriut”, thotë se radioja është burim i nxitjes së shumë krimeve në botë, sidomos në Afrikë.

Për ndikimin e televizionit te masat, ende nuk ka studime të qarta. David G. Meyers, në librin “Socialpsikogjia” përmend një anketë me 208 të dënuar me burg, nëntë nga dhjetë prej të cilëve kanë pranuar se kanë mësuar stile të reja kriminale duke parë televizorin, ndërsa katër nga dhjetë prej tyre thanë se janë përpjekur të vinin në praktikë krimet specifike që kanë parë në televizor.

Por, kritikët që mendojnë ndryshe, mund të thonë se televizioni nuk ka pas ndikim në gjenocidin kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore! Madje, ata e shohin televizionin si mjet pozitiv të largimin të rinjve nga rruga.

Shpjegim më të qartë për këtë japin George Gerbner dhe bashkëpunëtorët nga Universiteti Pennsylvania. Ata kanë thënë se bota fantastike e televizionit e shtrembëron realitetin. Sipas tyre, ata që kalojnë shumë kohë pranë televizorit, e ndjejnë veten të frikësuar dhe të rrezikuar nga paragjykimet që shtohen për të tjerët.

Në bazë të kësaj dhe shumë studimeve tjera, del se dhuna nuk lind nga televizioni, por se eksitohet nga ai, dhe se ky eksitim mund t’i bëjë shumë njerëz bashkë.

Reagimet e pavetëdijshme

Kështu u eksitua protesta në jug të Mitrovicës, që shkas kishte vdekjen e tre fëmijëve, e që u përhap si rrufe në tërë Kosovën. Më 18 mars BBC boton raportin me titull: “Mediat bëjnë tifozeri, Kosova digjet flak”. BBC aludonte në raportet kontradiktore të mediave elektronike serbe dhe shqiptare për atë që po ndodhë në Kosovë.

Për shqiptarët trazirat ishin të provokuara nga serbët; për serbët gjithçka ishte pjesë e planeve shqiptare për spastrimin etnik të Kosovës. Ndërsa, raporti i përpiluar nga përfaqësuesi për Lirinë e Shtypit pranë OSBE-së, Miklos Harszti, thotë se emetimet sensacionale të mediumit kryesor publik në Kosovën, ishin një nga faktorët kryesorë të trazirave, të humbjeve të mëdha materiale – fatkeqësisht edhe në jetë. Raporti vinte në pah mungesën e profesionalizmit dhe keqinterpretimeve për motive “patriotike”, të cilat – nëse interpretohen në aspektin psikologjik – mund të cilësohen si shkaktar në imponimin e perceptimeve dhe të reagimeve të pavetëdijshme të masave në Kosovë.

Gustave le Bon, një nga studiuesit e parë të psikologjisë së masave, kur flet për turmën, thotë se ata i karakterizon aftësia e dobët për të arsyetuar, mungesa e frymës kritike, acarimi i shpejtë dhe njëanshmëria. Në veprën “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, ai përshkuan revolucionin e përgjakshëm spanjoll të vitit 1873, i cili u nis me fjalët që kurrkush nuk i kuptonte, e që interpretoheshin ashtu siç donte secili: “Radikalët arritën në bindjen se republika unitare nuk është gjë tjetër veçse një monarki e maskuar dhe fisnikët, për t’ua bërë atyre qejfin, dhe shpallën njëzëri republikën federative, e në ndërkohë asnjë nga votuesit nuk ishte në gjendje të thoshte se për çfarë votoi”!

I ngjashëm ishte marsi i vitit 2004 në Kosovë. Masat vepronin me ndjenja, duke mos ditur se çfarë vërtet po bëjnë. Lajmi u shndërrua në protestë, protesta në hakmarrje dhe hakmarrja në anarkinë që ka mundur të gjenerojë koncepte të çoroditura politike, e madje shpërthimin e dhunës mes vet shqiptarëve – ngjashëm me atë që në Mesjetën e vonë u cilësua si “ndjekja e shtrigave”.

Në Salem (Massachussets), sjellja e pashpjeguar e dy vajzave të reja, e habiti një komunitet të puritanëve që i frikësohej mallkimit të përjetshëm. Gjithçka kaloi në histeri, e cila përfundoi me 24 të ekzekutuar. Puritanët mendonin se shtrigat janë me ta; masat e marsit në Kosovë rrezikonin histerinë e prezencës së tradhtarëve shqiptarë e mbase edhe luftimin e tyre!

Zhurma dhe heshtja

Duke mos u thelluar në detaje të ngjarjeve, mund të thuhet se marsi 2004 dëshmoi atë që thonë studimet psikologjike të histerisë së masave: Një për qind e popullatës mund të ketë ndikim në 99 përqindëshin tjetër dhe se një përqindëshi mund ta ketë respektin e 99 përqindëshit tjetër.

Në këtë rast, fati i Kosovës u vu në teh nga raportimi i një gazetari të vetëm. Në anën tjetër, u pa edhe fragjiliteti i institucioneve të Kosovës dhe paaftësia e tyre për të vënë situatën nën kontroll.

Fundi i vitit 1999 karakterizohet edhe me një histeri në Kosovë. Qytetarët e Prishtinës “bombardoheshin” me informatat e rrugëve për rrëmbime të fëmijëve dhe për furgonët në të cilat bëheshin operime për vjedhjen e organeve të të rriturve. Errësira nisi të fuste frikë në qarkullimin e lirë të çdo qytetari në Prishtinë. Si preventivë kryesore e histerisë së masave, është intervenimi i autoriteteve e në veçanti informimi i tyre i saktë dhe i pandërprerë me atë që ndodhë. Një konferencë për shtyp e policisë së UNMIK-ut, që i mohoi pohimet e sipërpërmendura, tregoi se frika bazohej në rrëfime fiktive.

Por, autoritetet shpesh herë e humbin orientimin.

Në një recension që novelisti Charles Percy Snow bëri për veprën e historianit Alfred Leslie Rowse, “Shpirtrat dhe Paqësimi”, ai flet për inteligjencën dhe përvojën që ekzistonte në Britani në vitet ’30. “Paqësimi” (Appeasement) është koncepti politik i gjoja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërkombëtare duke u vetëkënaqur përmes negociatave dhe kompromiseve që shmangin konfliktet e shtrenjta dhe të rrezikshme. Ky term i referohet politikës së jashtme të kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, në raport me nazistët. Ai ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Munihut, të vitit 1938, me të cilën legjitimohet invadimi gjerman në Çekosllovaki.

“Koeficienti i tyre i inteligjencës ishte më i lartë se ai i drejtuesve mesatarë politikë. Si shpjegohet pra që ata u bënë protagonistë të një dështimi të tillë?”, pyet Snow, dhe drejtohet te shpjegimet e Lesliet se problemet e brendshme, në veçanti lufta kundër komunizmit, nuk i linte masat të deshifronin mesazhet e Hitlerit. Prandaj, “nuk donin të dëgjonin”.

Forca e pakicës

Në rastin e marsit 2004, liderët e Kosovës ishin të shurdhër. Edith Efron në “TV Guide” të vitit 1963, thotë se televizioni është medium i ftohtë, që solli një rigor mortis në politikë. David Giles, në parathënien e veprës “Psikologjia e mediave”, përmend klishenë se mediat kanë shkatërruar artin e debatit. Ndërsa, Neil Postman, në veprën “Duke zbavitur veten deri në vdekje”, thotë se televizioni po e shndërron kulturën e debatit në zbavitje dhe se kjo zbavitje po zhduk diskursin publik për çështjet e rëndësishme.

Politikanët nuk e kishin komunizmin për armik, por paaftësinë politike. Apo mbase zbavitjen dhe ambiciet: çdo dështim, me apo pa arsye, mund t’i vishet rivalit që ka elektorat më të madh, ndërsa jo rrallëherë forcat më të vogla politike mund shfrytëzojnë rastin të dalin fitimtarë nga anarkitë e tilla.

Psikologia Charlan Nemeth thotë se pakica mund të stimulojë mendim krijues. Dhe, edhe nëse nuk arrin të bind shumicën, atëherë ndikon në rritjen e dyshimeve të tyre për veten. Kështu, për pak u rrezikua marrja e një kahu tjetër në historinë e Kosovës, sipas modelit të eseistit amerikan Raph Waldo Emerson: “E gjithë historia është një arkiv i fuqisë së pakicave dhe i pakicave të përbëra nga një individ”. Këtë e ka vërtetuar edhe socialpsikologu Serge Moskovic. Ai thoshte se kur një pakicë ndjek shumicën, mund të ndodhë tërheqja. Por, nëse një shumicë ndjek pakicën, ajo shfaq pranimin e së vërtetës.

Apatia e politikanëve si pakicë, ndikoi në frikësimin dhe izolimin e shumicës së popullatës në Kosovë. Në rastin më të keq, rrezikohej bashkëngjitja e shumicës me pakicën tjetër në rrugë.

Por, çka ndodhi në New York 70 vite më parë?

Në vitin 1898, H.G. Wells boton novelën fantastiko-shkencore, “Lufta e botëve”. Ngjarja vendoset në fillimin e shekullit XX, me një eksplodim të papritur në planetin Mars i cili pasohet me invadimin e marsianëve në Londër. 40 vite më vonë, përmbajtja e kësaj novele adaptohet në një radiodramë nga regjisori i ri Orson Welles. Radiodrama kishte plotë efekte tonike, narracione dhe ndërhyrje që ngjanin me edicionet speciale të lajmeve. Simulimet e tilla i bënë dëgjuesit të besojnë se marsianët kanë aterruar në New Jersey dhe se janë gati për të sulmuar edhe New Yorkun. Linjat telefonike bllokohen, ndërsa mijëra të tjerë dalin nga shtëpitë për të kërkuar strehim diku tjetër.

Dëshira dhe realiteti

Sipas një studimi të bërë 10 vite më vonë, gjashtë milionë veta e dëgjuan këtë transmetim. 1.7 milionë prej tyre mendonin se radiodrama është diçka që vërtet po ndodhë; 1.2 milion ishin të frikësuar.

Një ditë pas emetimit, New York Time shkruan: “Dëgjuesit e radios në panik; dramën e luftës e morën si diçka të vërtetë”. Ndërkaq, brenda vetëm një muaji, ishin 12,500 artikuj në SHBA që janë marrë me ndikimin e këtij transmetimi.

Analizat e mëvonshme thonë se histeria gjatë emetimit të radiodramës është ekzagjeruar dhe se në këtë kanë ndikuar rrethanat politike në prag të Luftës së Dytë Botërore e po ashtu edhe fakti se dëgjuesit nuk kishin dëgjuar fjalët se gjithçka që do të emitohet në vazhdim është thjesht një trillim.

Por, dramatizimi i “Luftës…” është bërë në gjuhë tjera dhe në kohë tjera. Versioni në gjuhën spanjolle shkaktoi më 1949 panik në Quito të Ekuadorit, e po ashtu edhe versioni i reviduar amerikan i vitit 1971 dhe 1975.

Më 1937, Fondacioni Rockefeller përmes “Radio Projektit” financonte hulumtimet për të hetuar ndikimin e mediave në shoqëri. Një nga studimet e para të këtij projekti mëtohet të jetë “Lufta e botëve”. Në dokumentarin “Zotëruesit e universit: lindja sekrete e rezerva federale”, Daniel Hopsicker thotë se Fondacioni Rockefeller e ka financuar këtë radiodramë për të studiuar psikologjinë e luftës, dhe se raporti i Fondacionit mbahet ende sekret për shumicën. Ndërsa, Adam Curtis – në dokumentarin “Shekulli i unit” – thotë se njerëzit me pushtet kanë përdorur teoritë e Sigmund Freudit për të kontrolluar turmat e rrezikshme në epokën e demokracisë së masave.

Kjo radiodramë vazhdon të jetë subjekt trajtimi në shumë teori komploti, siç vazhdon të jetë edhe sot nëpër llafe të ndejave marsi i vitit 2004 në Kosovë.

Në fillim të viteve ’90, javorja “Zëri”, në rubrikën parodike “Faqja e Fundit”, boton gjoja valutën e Kosovës, Dardanin. Ky edicion u botua në dhjetëra-mijëra kopje. Dardani shumëzohej, madje në Perëndim kopja shitej prej 10-20 marka gjermane. Një parodi, në një faqe parodike, u perceptua si e vërtet. Sepse, secili e përzien realitetin me dëshirën e tij.

Meqë akoma nuk e dihet saktë se si rrodhën gjërat më 1938 në SHBA dhe më 2004 në Kosovë, secili e projekton të vërtetën e tij. Gjithçka ngjanë me hologramin në studio të CNN-it. Shikuesi mund ta shihte në studio gazetaren Jessica Yellin, në New York, pranë komentatorit Wolf Blitzer. Por, imazhi i vërtet i saj ishte në Chicago, 1200 kilometra larg.

(Ky shkrim është botuar në tetor 2008, në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore)

Exit mobile version