Çekia ka përkrahur procesin integrues të Maqedonisë së Veriut dhe të njëtën do ta bëjë edhe pasi t’i mbaron presidenca me BE-në, tha ambasadori çek në Shkup, Jarosllav Ludva.
Ai mes tjerash potencoi kontributin e Pragës në përafrimin e dialogut Shkup-Sofje në mënyrë që dy vendet t’i tejkalojnë problemet dypalëshe.
“Çekia ka qenë gjithmonë përkrahëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj europiane dhe ne jemi shumë të lumtur që në presidencën tonë, Maqedonia filloi negociatat me BE-në. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë dhe, çka mund të bëjmë gjatë presidencës sonë, mundohemi ta realizojmë. Kemi ca mjete, buxhet dhe mundohemi të organizojmë një seri seminaresh dhe konferenca për RMV-në, për raportet fqinjësore dhe me theks të veçantë në përforcimin e dialogut me Bullgarinë” – tha ambasadori i Çekisë në Shkup, Jarsolav Ludva.
Ambasadori çek në vijë të njëjtë me thirrjet aktuale të diplomatëve evropian. Fton vendin të vazhdojë me reformat si dhe të krijojë unitet të brendshëm politik në procesin integrues. Raportet me fqinjin lindor i sheh të përmirësueshme dhe apelon palët të vazhdojnë tutje me dialog.
“Asgjë në botë nuk është e përkryer dhe gjithçka mund të jetë më mirë. Unë shoh këtu kushte për përmirësim ku ne po përpiqemi të kontribuojmë. Unë jam per bashkëpunim dhe jo për probleme” – u shpreh Ludva.
Lidhur me mundësinë e integrimit të plotë të vendin në BE deri në vitin 2030, ambasadori çek tha se kjo mund të jetë një opsion apo mundësi, por shtoi se askush nuk mund të garantojë për ecurinë e tutjeshme midis BE-së dhe RMV-së.