Pas një mungese të gjatë në tregun muzikor, Luar Rani ka vendosur t’i rikthehet botës muzikore.
Javë më parë ka nisur xhirimet e videos së re të këngës, trailerin e të cilit e ka publikuar sot në llogarinë personale në Instagram.
Ajo ka folur edhe për Telegrafin duke treguar emocionet e para pas kthimit me këngën e re.
“Pas shumë vitesh pauzë, nuk ishte një vendim spontan për tu rikthyer, por i planifikuar. Bashkëpunuesit, familja dhe dashamirësit e mi kanë qenë një shtysë e vazhdueshme për t’u rikthyer. Projektet e mija të reja do të jenë të prodhuara në studion e Cricket Beats, ndërthurur me kompozimet e mija vetjake”, kishte zbuluar Luar.
Këngën e re e ka punuar Donat Prelvukaj (Cricket), vija melodike si dhe teksti janë të realizuara nga vet Luari.
Xhirimet janë kryer në afërsi të Prishtinës me produksionin Imagine Films.
Tani pas rikthimit, këngëtarja do të përkushtohet edhe më shumë në punën për projektet e reja. /Telegrafi/