Telegrafi

Luani Gjoni që mbahej në kafaz lirohet në hapësirë të jashtme

Luani Gjon, që për një periudhë ka qëndruar në kafaz në Gjilan është liruar në hapësirë të jashtme tek Pylli i Arinjve Prishtina.

Kështu bëhet e ditur në një postim të Bear Sanctuary Prishtina në Facebook.

“Kjo krijesë e bukur përkohësisht është duke qëndruar tek PYLLI I ARINJVE Prishtina, tani ka mundësinë për të shijuar hapësirën e tij të jashtme. I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni dalëngadalë po mësohet përsëri të jetojë si një luan! Që kur ka arritur tek strehimorja jonë kujdestarët tanë kanë qenë të angazhuar intensivisht që të përgatisin hapësirën e jashtme për të.

Në mëngjesin e 4 majit, erdhi momenti i shumëpritur për Gjonin. Ju deshtë ca kohë që të merrte guximin për të bërë hapat e parë në bar të freskët dhe në dheun e hapësirës së tij të jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të derisa ai të mësohet me hapësirën e jashtme, por ne jemi të sigurt që Gjoni shumë shpejt do të ndihet më i relaksuar.

Lexo po ashtu Vaksinohet luani "Gjoni" në Gjilan - vazhdon të mbahet ilegalisht që nga muaji nëntor

Fatmirësisht moti me diell, mjedisi i qetë dhe lojërat që kujdestarët tanë i përgatisin do ta ndihmojnë që shumë shpejt Gjoni t’i tejkalojë traumat nga e kaluara e tij.

Sido që të jetë, PYLLI I ARINJVE Prishtina nuk është destinacioni përfundimtar i Gjonit. Ne po vazhdojmë të punojmë që ai të zhvendoset në njërën prej strehimoreve për macet e mëdha të FOUR PAWS, ku ai do ta shijojë jetën e tij në një mjedis të përshtatshëm për llojin e tij”, thuhet në postim.

Ndryshe, luani “Gjoni” në Kosovë është mbajtur në izolim dhe ilegalisht që nga nëntori 2019. /Telegrafi/