Site icon Telegrafi

Luaneshat e Kosovës nisën për në Botërorin e Rusisë

Krenaria jonë, Majlinda, dhe Nora janë përgatitur në maksimum për këtë ngjarje të madhe. Majlinda është kampione e botës në Rio, e cila tashmë është edhe bartëse e parë, do të kërkojë të bëjë më të mirën. Majlinda me 27 gusht të vitit të kaluar në Rio De Jainero, si luaneshë pati shkërmoqur në finale Erika Mirandën dhe u shpall kampionia e botës duke shkaktuar sensacion në gjithë botën, ndërsa Nora zuri vendin e shtatë. Trimëresha tona janë të motivuara në çdo aspekt dhe synojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze, që ta prezantojnë shtetin e Kosovës në mënyrë më të mirë. Majlinda prin në të gjitha ranglistat botërore të xhudos, e cila ka 3380 pikë.

Driton Kuka, përzgjedhës, tha se gjithçka ka shkuar mirë deri më tash. Ai disa ditë përgatitjet i ka zhvilluar në Koln të Gjermanisë, pastaj në Celje të Sllovenisë, herë – herë edhe në ambientet e bukura të Pejës dhe në sallën Ippon. Kuka, trajneri më i mirë në vend dhe i klasit botëror, i cili është shembull se si punohet dhe përgatiten garues botëror, për gazetën kombëtare “Bota sot” konfirmoi se sonte në orët e mbrëmjes udhëtojnë drejt Rusisë. Si gjithmonë optimistë, por me deklarata të matura, tha se shkojnë për medalje!

“Të përgatitur jemi maksimalisht dhe të motivuar si gjithmonë. Po shkojmë në Rusi për të prezantuar shtetin tonë të ri dhe besoj me sukses”, tha Kuka, që shpreh optimizmin për medalje. “Realisht kemi kualitet për medalje të re në Botëror. Do të jetë luftë e madhe”, ka thënë ai.

“Çdo gjë është shkuar në mënyrë të duhur dhe shpresoj që në kokat e nxënëseve të jetë çdo gjë në rregull ditën e garave”, thotë Kuka.

Majlinda në vitin 2014 ka qenë e pa konkurrencë në çdo garë ndërkombëtare. Ajo në fund të muajit prill të këtij vitit u shpall kampione e Evropës, e cila u mbajt në Montpellier. Nora kthehet pas një kohe, pasi që ka qenë e lënduar, por është në formën më të mirë për sfidën që e pret në Botëror. Si Majlinda po ashtu edhe Nora, janë të gatshme për betejat e mëdha. Dy luanesha apo trimëresha udhëtojnë për në Rusi për të luftuar deri në pikën e fundit për të arritur më të mirën për shtetin e Kosovës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version