Telegrafi

Luan Rama: S’ka prova se droga është djegur, 101 ton drogë u asgjesuan pa procesverbal

Në vitin 2017 Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë më vendi i kultivimit të drogës, deklaroi të enjten në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), Luan Rama.

Duke përsëritur shqetësimin e shprehur ne raportin e fundit te DASH për rritjen e kultivimit te marijuanës ne Shqipëri, Rama kërkoi një reagim ligjor nga mazhoranca dhe marrje përsipër të detyrimeve prej saj. Kjo është mënyra korrekte, tha ai, të ulim kokën dhe të marrim përsipër detyrimet, pasi ka përgjegjësi të papërmbushura, si nga Ministria e Brendshme, por dhe nga ministri të tjera, si ajo Arsimit, e Shëndetësisë, e Mbrojtjes dhe të gjitha institucionet e tjera që janë pjesë e Komitetit Kombëtar për Bashkërendimin e Luftës kundër Drogës.

Një tjetër problem mjaft i rëndësishëm, i ngritur nga kryetari i grupit të LSI-së, ishte dhe çështja e asgjësimit të substancave narkotike, të sekuestruara, pasi siç tha Rama, ndonëse ligji për asgjësimin e tyre është i qartë, ai nuk zbatohet.

“Janë identifikuar 13 raste të asgjësimit te drogës ku nuk është zbatuar ligji, nuk është mbajtur procesverbali, nuk ka qënë prezent prokurori dhe shkelje të tjera”, vërejti Rama. Ka ndodhur që një pjesë e të arrestuarve për lëndë narkotike, theksoi ai, kanë mbetur në gjykata, pasi nuk ka prova se droga është djegur. Kjo për shkak se mungon dokumentacioni, që duhet mbajtur në tre kopje. Edhe 101 ton drogë, e sekuestruar në Lazarat, u asgjësua pa proceverbal. Pra, kemi të bëjmë me shkelje të ligjit dhe me mosveprim të organit të prokurorisë. Ndaj është e rëndësishme që jo të reagojmë, por të reflektojmë, të mbledhim strukturat sipas ligjit, t’i vëmë ato në punë dhe të respektojmë rolin dhe autoritetin e gjithsecilit, theksoi Luan Rama, sot ne Kuvend. /Atsh/Telegrafi/