Site icon Telegrafi

Luajti për Zvicrën dhe Kosovën gjatë karrierës së tij: Albert Bunjaku jep një parashikim të çmendur për ndeshjen e sotme

Albert Bunjaku që luan ende futboll aktiv edhe në moshën 38 vjeçare në Gjermani, ka pasur fatin të veshë fanellën e Zvicrës dhe atë të Kosovës gjatë karrierës së tij.

Janë më shumë se 500 kilometra midis Kolnit dhe Cyrihut dhe është pak larg për të shkuar në stadiumin ku do të zhvillohet ky takim.

Albert Bunjaku thotë se ai do ta “shikoj para televizorit ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës”.

Natyrisht, ai do të kishte preferuar të jetë në stadium – por detyra (stërvitore) në klubin gjerman të kategorisë së katërt Bonner SC nuk ia lejon. Në këtë klub ai pritet ta mbyll karrierën e tij në këtë verë, pas 20 vitesh karrierë profesionale.

Ai ka luajtur për klube si Schaffhausen, Nurenberg, Kaiserslautern dhe St. Gallen. Ai është paraqitur edhe me përfaqësueset e Zvicrës dhe Kosovës.

Në vitin 2009, Bunjaku bëri debutimin e tij me Zvicrën nën drejtimin e Ottmar Hitzfeld – ku pastaj zhvilloi edhe pesë ndeshje të tjera për Zvicrën.

Pas vitit 2016, sulmuesi bëri edhe disa paraqitje me Kosovën, që po merrte hapat e parë në futbollin ndërkombëtar.

“Zemra ime rreh për të dy kombet – nuk do t’i harroj kurrë angazhimet e mia për të dy vendet. Ndihem edhe zviceran edhe kosovar”, thotë Bunjaku për Blick, i cili ka lindur në Gjilan në vitin 1983 dhe më vonë është shpërngulur në rajonin e Cyrihut me familjen e tij në moshën shtatë vjeçare.

Për ndeshjen që zhvillohet sot, ai thotë se është një ndeshje mes miqsh dhe se pret një festë të madhe futbolli.

“Ky duel do të jetë mes miqsh, një festë e madhe! Atmosfera do të jetë e mrekullueshme me siguri – dhe po ashtu edhe loja. Një barazim do të ishte fantastike. Shpresoj për një 4-4″, ka thënë Bunjaku. /Telegrafi/

Exit mobile version