Site icon Telegrafi

Kosova kundër Hungarisë, Dardan Berisha: Luajmë për Gazin

Kosova do të luajë sot kundër Hungarisë në kuadër të kualifikueset për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Para takimit kanë folur kapiteni Dardan Berisha, basketbollisti Erjon Kastrati, përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Hyrja për ndeshje do të jetë falas, ndërsa FBK fton publikun që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në përkrahje të djelmoshave tanë, të cilët të enjten dhe dielën do të dalin në fushë dhe do të luajnë për Gazmend Sinanin.

Ky i fundit ndërroi jetë pas një aksidenti në Gjakovë gjersa së bashku me të u lënduan edhe basketbollistët Granit Rugova, Taulant Rugova, Altin Morina si dhe fiziterapeurit i përfaqësueses sonë, Kujtim Shala.

“Jemi duke u përballur me një situatë shumë të vështirë emocionale, po mundohemi ta përballojmë, por nuk është aspak lehtë. Ne vetëm sot kemi dal në fushë dhe e kemi zhvilluar stërvitjen e parë, s’ka qenë lehtë, sepse të gjithë ne kemi pasur emocione për faktin se dy javë kemi stërvitur së bashku me Gazin dhe lojtarët tjerë që janë të lënduar”.

“Në aspektin fizik dhe mental nuk jemi të përgatitur, por po bëjmë përpjekje që deri të enjten në mbrëmje, kur edhe do të luhet ndeshja të japim maksimumin për të hyrë në fushë dhe për të luajtur mirë për Gazin dhe për shtetin tone”.

“Shfrytëzoj rastin t’i bëjë thirrje të gjithë adhuruesve të sportit të jenë në numër sa më të madh në palestër, sepse vërtetë kemin nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, tha Dardani.

Lexo po ashtu Kosova luan për Gazmend Sinanin, hyrja falas për ndeshjen me Hungarinë

Gjersa përzgjedhës i Kosovës, Brad Greenberg, ka pohuar se të gjitha mendimet e tyre janë me familjen e basketbollistit të ndjerë, Gazit.

“Mendimet tona janë me familjen e Gazit dhe të tjerë që janë lënduar në aksident. Pas aksidentit të gjithë kemi qenë në shok dhe nuk kemi menduar për basketboll. Ne sot kemi stërvitur për herë të parë dhe as paraqitja në parket nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne e veçanërisht për lojtarët”.

“Të enjten kundër Hungarisë dhe të dielën kundër Polonisë do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Është e rëndësishme ta theksoj se grupi po mundohet ta përballoj situatën duke qëndruar i bashkuar dhe lirisht mund të them se karakteri i grupit është vërtetë i lartë”.

“Do të bëjmë përpjekje të hyjmë në fushë dhe të luajmë me shpirt, ashtu siç edhe Gazi e ka dashur jetën me plot shpirt. Këto janë momente të vështira për të gjithë ne, por vetëm kështu të bashkuar mund t’ia dalim”, tha amerikani.

Ndryshe, Fanella me numër 15 e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll do të pensionohet me emrin e basketbollistit Gazmend Sinani, i cili e humbi jetën në një aksident rrugor në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në Gjakovë.

Vendimin për pensionimin e fanellës me numër 15 të Përfaqësueses së Kosovës, e ka marr numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu. /Telegrafi/

Exit mobile version