Ambasadori amerikan akuzoi kryeprokurorin Adriatik Llalla për shkeljen e Kushtetutës në përzgjedhjen në emër të organit të akuzës të 3 kandidatëve për 3 poste si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Llalla u akuzua se për më shumë se 18 muaj ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.
“Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit.
Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorinë. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.
Në muajt nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPI që është jetik për vettingun. të premten e shkuar u hodh shorti për anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi një prej institucioneve të reja që mbron pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua siç duhet nga sekretari i përgjithshëm i kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me 3 prokurorë për të plotësuar 3 pozicione”, tha Lu.
Ambasadori amerikan tha se javën e ardhshme do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE për fillimin e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, ndërkohë që u bëri thirrje shqiptarëve patriotë të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në komisionin e “Vetting”-ut.
Akuzat ndaj kryeprokurorit erdhën pasi Ambasada Amerikane i revokoi vizën amerikane familjes Llalla dhe një grupi prokurorësh. /Telegrafi/