Site icon Telegrafi

LSM-ja kërkon dorëheqjen e Mitovskit: Ka qenë i gjykuar për sulm me armë të ftohtë

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) i kërkon u.d. drejtor i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, Marijanço Mitovski që të japë dorëheqje. Sipas LSM-së, Mitovski ligjërisht nuk guxon të jetë bartës i funksioneve publike sepse ndaj tij ka aktgjykim për veprën penale për sulm me thikë. Kryetari i Lidhjes, Darko Dimovski shtoi se për këtë vepër të drejtorit ka edhe vendim gjyqësor për mbajtjen e dënimit me burg prej 20 ditëve.

“Mendojmë dhe dëshmojmë se ushtruesi i detyrës drejtor, Marijanço Mitovski nuk i plotëson kushtet që të jetë kryerës i funksionit publik, në pajtueshmëri me aktgjykimin në fuqi të cilin e kam para meje dhe do e ndaj me të gjithë. Ka kryer vepër penale, ka sulmuar njeri me armë të ftohtë, thikë, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore. Në faqen e fundit të aktgjykimit është edhe vendimi ku udhëzohet që të mbajë dënim me burg”, deklaroi Darko Dimovski, Lidhja e Sindikatave.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Darko Dimovski shtoi se aktgjykimin e drejtorit Mitovski do ua dorëzojë edhe kryetares së qytetit Danella Arsovska si dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit me qëllim që nëse drejtori nuk jep vetë dorëheqje, atëherë të shkarkohet. Dimovski tha se posedojnë edhe dokumente të tjera kundër drejtorit. Ai shtoi se nëse nuk merren masa ndaj tij, atëherë të punësuarit do të kalojnë në grevë.

“Kemi edhe një aktvendim tjetër që do e zbardhim nëse ky drejtor nuk jep dorëheqje ose kryetarja e Qytetit nuk e shkarkon. Po ashtu dua të paralajmëroj se kemi raport mjekësor serioz që tregon se gjendja psikike e këtij personi është dëmtuar dhe po mjekohet”, tha Darko Dimovski, Lidhja e Sindikatave.

Në bisedë me u.d. Drejtor, Marijanço Mitovski, ai tha se nuk do të japë deklaratë për akuzat të cilat i drejtohen, por tha se mban qëndrimin të cilën e ka thënë në kumtesën e një dite më parë ku thuhet se, e vërteta është se Mitovski nuk ka vuajtur burg dhe nuk ekziston aktgjykim, ndaj tij. Në kumtesën e ujësjellësit thuhet se, kreu i sindikalistëve është frustruar për shkak të privilegjeve që i janë marrë bashkëshortes së tij e cila është e punësuar në n.p. Ujësjellësi dhe Kanalizimi.

Exit mobile version