Telegrafi

LSM: Edhe e shtuna të jetë ditë pushimi dhe të mos punohet më shumë se 38 orë në javë

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në kuadër të përgatitjeve të Ligjit të ri për marrëdhënie pune dorëzoi propozimin e tyre në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Krahas propozimeve tjera dhe avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sigurimit të balancit mes punës dhe familjes, LSDM propozoi që ditë pushimi të jenë dita e shtunë dhe dita e diel, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Duke ardhur më shpesh te diskutimet për nevojën që dita e diel të jetë ditë pushimi për gjithë punëtorët, e që këto diskutime janë më tepër të pranishme në nivel ndërkombëtar, posaçërisht në vendet e rajonit tonë, si dhe shembulli pozitiv i Malit të Zi, në këtë drejtim Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë merr qëndrim se ditë pushimi javor duhet të trajtohen dita e shtunë dhe e diel, në vend se siç është tani ku ditë pushimi është dita e diel dhe ndonjë ditë tjetër e javës”, shprehen nga LSM.

Ata shtojnë se hulumtimet dhe shembujt tregojnë se punëtori do të jetë më produktiv dhe do të ketë më shumë kohë për familjen, për pushim dhe t’u profesionalizuar.

LSM gjithashtu propozoi që koha e punës të jetë 38 orë në javë në vend të 40 orëve të deritashme.

“Kërkesat dhe angazhimet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë janë progresive, zhvillimore dhe motivuese, të cilat do të ndikojnë në rritjen e produktivitetit, por edhe në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, shprehen nga LSM duke shtuar se me avancimin e të drejtave të punëtorëve krijohen vlera demokratike që do ta mbajnë popullatën e re në shtet./Telegrafi/