Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendos të rinumërohen 114 kuti për qarkun e Beratit pas kërkesës së LSI-së, e cila humbi mandatin për 77 vota në këtë qark.
Në orën 14.00 do të bëhet rinumërimi i votave në KQZ, ndërsa seanca për Beratin është pezulluar derisa të mbërrijnë kutitë e nisë shqyrtimi.
Gjatë mbledhjes, PS mbështeti kërkesën e LSI-së për të hapur kutitë në qarkun e Beratit.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji theksoi se në kuadër të transparencës mbështet hapjen e kutive duke shprehur bindjen se rezultati në këtë qark nuk do të ndryshojë.
LSI në kërkesën fillestare kërkoi hapjen e 114 kutive të votimit, por më pas kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e 277 kutive të të gjithë qarkut të Beratit.
PS mbështeti kërkesën e parë për 114 kutitë duke nënvizuar se nëse do të ketë ndryshim rezultati nga rinumërimi i këtyre kutive, do të rinumërohen të gjitha.
Përfaqësuesi i LSI-së u shpreh se ka prova video ku faktohet manipulimi në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ato vota nuk mund të rrinë në 0, ne duam të hapim të gjitha votat, edhe ato të kandidatëve edhe për subjektet, të hapen e të rinumërohen. Do na duhej pak kohë por sa i referohemi tabelës, të mbështeteshim tek kjo tabelë dhe në vijim të vazhdohej në të gjithë qarkun Berat”, tha përfaqësuesi i LSI-së në KAS, Altin Kaziaj.
Një ditë më parë KAS vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie në Berat dhe Gjirokastër.
Në lidhje me ankimimet për Qarkun Berat administrata e KQZ shqyrtoi materialet zgjedhore për 24 kuti për këtë qark, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Kujtojmë se LSI ka humbur një mandat në Berat për 77 vota.
KAS vendosi një ditë më parë se rezultati i votimit më 25 prill për Qarkun e Gjirokastrës mbetet ai i shpallur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. /tch/