Telegrafi

LSI-ja përjashton deputetin Spahiu

Lëvizja Socialiste për Integrim ka përjashtuar nga grupi i saj parlamentar deputetin Përparim Spahiu. Vendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI-së, që u zhvillua paraditen e sotme.

Vendimi për përjashtimin e Spahiut vjen dy ditë pas publikimit të qëndrimit të tij në lidhje me reformën në drejtësi.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, argumentoi në përfundim të mbledhjes arsyet e përjashtimit të Spahiut si anëtar grupi.

“Grupi parlamentar i LSI-së vendosi përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu si anëtar i grupit parlamentar për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura, të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e Kryesisë dhe grupit parlamentar. Qëndrimi më i fundit personal i deputetit Spahiu që lidhet me reformën në drejtësi u vlerësua si i gabuar dhe i nxituar, njëkohësisht në kundërshtim të plotë me qëndrimet tepër parimore dhe koherente të LSI-së për reformën në drejtësi. LSI-ja vlerëson rëndësinë e jashtëzakonshme të reformës në drejtësi jo vetëm për forcimin e shtetit ligjor dhe ecurinë e integrimit europian, por dhe si një çështje që lidhet drejtpërsëdrejti me forcimin e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërinë e vendit edhe si faktor stabiliteti në rajon. Ndaj, LSI-ja do vazhdojë në mënyrë konsekuente të punojë për miratimin e reformës në drejtësi me transparencë dhe konstruktivitet sipas standardeve të Venecias, larg emocioneve dhe llogarive afatshkurta partiake dhe elektorale”, tha Vasili.

Qëndrimi i Spahiut

Dy ditë më parë, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, u shpreh se nuk është gati të votojë ngritjen e një institucioni të ri në kuadër të reformës në drejtësi, që do të mbikëqyret nga ndërkombëtarët. Qëndrimin e tij, Spahiu e bëri publik përmes një postimi në “Tuiter”.

“Nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?! E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE-në, shpresoj dhe me BE-në”, shkroi Spahiu. /Telegrafi/