Telegrafi

LSDM thotë se prapa publikimit të materialeve për rastin “Haraçi” qëndron OBRM-PDUKM dhe Nikolla Gruevski

Partia maqedonase në pushtet LSDM, përmes një kumtese për media thotë se pamjet e publikuara në lidhje me rastin “Haraçi” janë tentim që të rrezikohet hetimi dhe të sabotohet procedura dëshmuese, duke shtuar se të gjitha rrugët çojnë tek OBRM-PDUKM-ja dhe Nikolla Gruevski.

Nga LSDM i bëjnë thirrje kryetarit të tanishëm të OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, që të përgjigjet çfarë lidhje ka me dy të dyshuarit në rastin “Haraçi”, si dhe me gazetarin italian që i publikoi pamjet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Çdo kush që ka menduar se me rast të këtillë të përgatitur, me publikimin e video-materialeve do të komprometohen provat dhe do të shpëtojë nga faji para gjykatave, është mashtruar. Incizimi është arsye plus që të shpejtohet hetimi dhe të jepet përgjigje për nxitësit, organizatorët dhe mendimtarët e këtij rasti”, thonë nga LSDM.

Ata përfundojnë se duhet të zbulohen të gjitha detajet dhe çdonjëri të përgjigjet./Telegrafi/