Partia maqedonase në pushtet LSDM, përmes një kumtese për media thekson se me rishikimin e buxhetit janë ndarë mjete për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Nga LSDM thonë se përveç rritjes së pagave, programit për punësimin e të rinjve, rritjes së mjeteve për shëndetësinë, janë ndarë mjete edhe për projekte ekologjike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me rishikimin e buxhetit ndahen 183 milionë denarë për sistem kolektor, si pjesë e masave për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. Për të ruajtur Ohrin dhe trashëgiminë e tij natyrore dhe kulturore, të regjistruar në UNESCO si Trashëgimi Botërore, fondet janë të nevojshme për sistemin e kolektorëve, i cili ka qenë në prag të shembjes me vite dhe ka shkaktuar aksidente të mëdha dhe përmbytje në liqen”, thonë nga LSDM.
Ata shtojnë se Qeveria, komunat dhe institucionet tjera kompetente punojnë që Ohri dhe rajoni i Ohrit të mbeten pjesë e listës së UNESCO-s./Telegrafi/