Dje u shpallën vendimet finale në lidhje me rastin “Talir 2”, pjesë e së cilës ishte dhe ish-kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski.
Nga partia në pushtet LSDM përmes një komunikate për media e kanë komentuar si të drejtë vendimin e gjykatës, pasi sipas tyre përmbyllja e rastit tregon vërtetësinë e shumë krimeve të kryera nga OBRM-PDUKM.
“Aktgjykimi për rastin Talir 2 është konfirmimi i fundit i krimit epik të OBRM-PDUKM-së. Partia ka vjedhur qytetarët, ka grumbulluar pasuri, luks dhe para në mënyrë të paligjshme, kriminale, ndërsa qytetarët zhyten në varfëri dhe borxhe”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
LSDM thekson se përmes një procesi gjyqësor të bazuar në prova dhe dëshmi, është vërtetuar se janë keqpërdorur miliona para, se janë shkelur rëndë ligjet që OBRM-PDUKM të jetë një nga partitë më të pasura në Evropë.
“Skema kriminale për Shtëpinë e Bardhë është drastike, skandaloze dhe me përmasa epike, por me vendimin e fundit është korigjuar një tjetër padrejtësi. Pas aktgjykimit të fundit, si dhe atij të mëparshëm ndaj zyrtarëve të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, në vend që të kërkojë falje dhe të dënojë veprimet e kundërligjshme, ai me këmbëngulje qëndron në mbrojtje të krimit. Asgjë nuk ka ndryshuar në OBRM-PDUKM është një parti kriminale që ende drejtohet nga një kriminel i dënuar, Nikolla Gruevski”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, nga vendimi i djeshëm për rastin “Talir 2”, ish-kryeministri Gruevski u dënua me gjashtë vite burg.