Telegrafi

LSDM: OBRM-PDUKM le të ndërpresë bllokimin e ligjeve në Kuvend

LSDM sot sërish i ka bërë thirrje opozitës maqedonase që të ndërpresë bllokimin e ligjeve në Kuvend.

Deputetja e kësaj partie, Marija Georgievska deklaroi se, në kohë të krizës globale ekonomike dhe energjetike, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi të jetë funksional dhe të veprohet bashkërisht në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe shtetit.

“Kuvendi i Maqedonisë është vendi ku të gjitha partitë duhet të dëshmojnë se kujdesen dhe punojnë për qytetarët dhe shtetit. Por e shohim se ky nuk është kështu me OBRM-PDUKM-në, tjetër flasin dhe tjetër veprojnë. OBRM-PDUKM nuk heq dorë nga bllokimi i ligjeve të cilat janë të rëndësishme për ballafaqim më të lehtë me sfidat e krizës. Bllokojnë mbi 50 zgjidhje ligjore në Kuvend”, deklaroi Marija Georgievska, deputete e LSDM-së.

Ajo më tej shtoi se, nuk është hera e parë që deputetët e opozitës sillen në këtë mënyrë, të cilët, sipas saj, veprojnë vetëm për interesat e partisë dhe assesi për interesat e qytetarëve

“Pas bllokadave disamujore, OBRM-PDUKM-ja ka mundësi të qëndrojë pas interesave të qytetarëve. Sjelljen e papërgjegjshme ta zëvendësoj me punë për qytetarët. Bllokadat e Kuvendit të Maqedonisë duhet të ndërpriten, që të sigurohet efikasitet në miratimin e ligjeve dhe mbështetje e ligjeve kyçe për krizën energjetike”, deklaroi Marija Georgievska, deputete e LSDM-së.

Ndërkohë, nga OBRM-PDUKM kanë vazhduar ta kritikojnë punën e Qeverisë, sa i përket menaxhimit të krizës ekonomike dhe energjetike.

Ato akuzojnë kryeministrin Dimitar Kovaçevski se po manipulon me opinionin se inflacioni është në çdo vend i njëjtë si në Maqedoni dhe sipas tyre Maqedonia ka normën më të lartë të inflacionit në rajon dhe një nga më të lartat në Evropë.