Partia maqedonase në pushtet LSDM thotë se “Maqedonia si asnjëherë më parë ka arsye për festë. Po realizohen interesat strategjike të vendosura që nga 8 shtatori i vitit 1991 për anëtarësim në BE dhe NATO”.
Sipas LSDM-së është siguruar ftesa për në NATO dhe datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim me BE-në, dhe siç thonë ata, është siguruar identiteti maqedonas dhe askush nuk mund ta mohojë apo ta kontestojë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ardhmëria e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj është më e rëndësishme nga të gjitha polemikat ndërpartiake. Për këtë shkak, e gjithë Maqedonia u bashkua rreth të ardhmes së Maqedonisë dhe i përfshi në procesin që çon në BE dhe NATO”, thonë nga partia maqedonase në pushtet LSDM.
Ata shtojnë se është e qartë dhe pandryshueshme përkrahja nga e gjithë bota demokratike që e jep për Maqedoninë të bëhet anëtare në dy aleancat më të mëdha dhe më të rëndësishme, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
“Përkrahja e fuqishme dhe direkte e BE-së dhe NATO-s duhet të shfrytëzohet. Referendumi i 30 shtatorit është e barabartë me rëndësinë historike të referendumit për pavarësi më 8 shtator të vitit 1991”, kumtojnë nga LSDM duke shtuar se pikërisht për këtë, të gjitha subjektet politike duke përfshirë edhe OBRM-PDUKM-në duhet të shfaqin përgjegjësi dhe të mbështetin integrimin dhe zhvillimin duke ju bërë thirrje anëtarësisë të dalin në referendum dhe të rrethojnë për hyrje në BE dhe NATO./Telegrafi/