Nëpërmjet një kumtese, reagon partia maqedonase në pushtet LSDM ndaj akuzave të Gjorgkievskit se tashmë nuk sundon ligji dhe policia por se armët dhe mafia duke thënë “OBRM-PDUKM-ja vazhdon me sjelljen e papërgjegjshme dhe përmes akuzave të rreme vazhdon të nxisë panik të pa bazuar”.
Sipas tyre koha e selektivitetit dhe mos dënimit mbaroi me kalimin e OBRM-PDUKM-së në opozitë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ministria e Punëve të Brendshme, sot punon profesionalisht, në mënyrë efikase, e pavarur dhe në shërbim të ligjeve dhe interesave të qytetarëve”, kumtojnë nga LSDM duke shtuar se norma e kriminalitetit ulet dhe se në mënyrë të shpejtë reagohet ndaj shkeljeve ligjore ndaj të gjithëve dhe secili që ka vepruar kundërligjshëm do të përgjigjet për veprimet e tyre.
Ata në fund thonë se qytetarët duhet të mbeten të qetë, institucionet garantojnë sigurinë./Telegrafi/