Site icon Telegrafi

LSDM: OBRM-PDUKM me anë të dezinfromatave nuk do të arrijë t’i shpëtojë kriminelët

Nëpërmjet një njoftimi të partisë maqedonase në pushtet LSDM, thuhet që “hetimi për rastin ‘Haraçi’ u përshpejtua dhe nuk do të arrijnë përpjekjet e OBRM-PDUKM-së që përmes dezinfromatave t’i shpëtojë kriminelët”.

“Në oborrin e bardhë, simbolin e krimit dhe korrupsionit, vazhdojnë me shpërndarje të lajmeve të rreme dhe të pavërtetave, duke u thirrur në dezinfromata të publikuara në media, gjë që flet për shkallën e dëshpërimit të OBRM-PDUKM-së. Është e qartë se si do që të zhvillohet hetimi për rastin ‘Haraçi’, paniku te OBRM-PDUKM rritet”, thuhet në kumtesën e LSDM-së, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga LSDM thonë se pengimi i hetimeve, porositja e lëndëve dhe gjykimet kanë qenë tipare të regjimit të OBRM-PDUKM-së.

“Institucionet kompetente duhet të zbulojnë se si deklarata e njërit nga të dyshuarit ka arritur tek mediat, ndërsa Prokuroria Publike duhet të sqarojë për vërtetësinë e deklaratës së publikuar”, thonë nga LSDM duke shtuar se publikimi i dokumenteve të tilla që kanë për qëllim të pengojë hetimin është vepër penale.

Sipas LSDM-së, kjo është edhe një dëshmi për nevojën e përshpejtimit të hetimit dhe identifikimin e të githë personave të përfshirë në këtë rast duke përfshirë këtu porositësit, kryesit dhe ndihmuesit.

“Të kota janë përpjekjet e OBRM-PDUKM-së që përmes dezinfromatave të pengojnë procedurën, të rrezikojnë hetimin dhe t’i mbrojnë kriminelët e tyre”, thuhet në njoftimin e LSDM-së duke ju bërë thirrje institucioneve kompetente që ta zbardhin këtë rast por edhe të gjitha lëndët tjera të mbetura./Telegrafi/

Exit mobile version