Telegrafi

“LSDM nuk do të koalicionojë me OBRM-PDUKM, për ta fituar Komunën e Kërçovës”

“LSDM-ja në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor nuk do të koalicionojë me OBRM-PDUKM-në në Kërçovë, pasi për të më të rëndësishme janë konceptet për qytetarët, e jo konceptet etnike”, ka thënë deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së sotme për shtyp në Kuvendin e Maqedonisë.

I pyetur nëse është i mundur bashkëpunimi në Kërçovë me OBRM-PDUKM, ai ka thënë se në zgjedhjet e fundit parlamentare partia e tij i ka mposhtur dallimet etnike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“LSDM i ka tejkaluar dallimet etnike në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për ne në Maqedoni ekziston garë konceptesh që ju ofrohen qytetarëve, e jo koncepte etnike”, tha Shilegov.

Ai ka njoftuar se LSDM-ja deri në fund të muajit do t’i prezantojë të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave. Emrat që tashmë janë duke qarkulluar në publik ende janë në sferën e spekulimeve, thotë Shilegov.

“Emrat që aktualisht po qarkullojnë në media, si kandidatë të mundshëm për kryetarë komunash, nga rradhët e LSDM-së, apo të koalicionit që ajo përfaqëson, për këto zgjedhje lokale, ende janë në sferën e spekulimeve. Procedura është në rrjedhë dhe presim që deri në fund të muajit do të përfundojmë dhe zyrtarisht do të prezantohen të gjithë kandidatët”, shtoi Petre Shilegov./Telegrafi/