Telegrafi

LSDM: Mickoski çdo ditë thotë nga një gënjeshtër të re

Partia në pushtet LSDM ka reaguar ndaj deklaratave te kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski i cili akuzon qeverinë se nuk di të menaxhoj situatën me krizën ekonomike në vend.

“Në mungesë të politikave reale për qytetarët, Hristijan Mickoski vazhdon të përhapë gënjeshtra, çdo ditë zgjedh një gënjeshtër të re. Qytetarët mund të jenë të qetë, bëhet fjalë për testimin e pajisjeve ndihmëse në REK Manastir, e cila pas një kontrolli të shkurtër është fikur. SHA ESM bën të gjitha përpjekjet për të operuar sipas të gjitha standardeve, në kushte kur prodhimi i energjisë elektrike është tërësisht nga kapacitetet vendase, dhe prodhimi nga qymyri dhe nafta në kohë krize energjetike është i pashmangshëm. Çfarëdo që të thotë Mitsoski, ai mbetet drejtori më i pasuksesshëm i SHA ESM dhe këshilltari i Gruevskit për energji, kur rryma u rrit për 100 për qind, kur rryma blihej tre herë më e lartë se çmimi i tregut”, thonë nga LSDM.

Nga LSDM përmendin se Mickoski sipas tyre asnjëherë nuk është treguar i suksesshëm në menaxhimin energjetik, për dallim nga qeveria aktuale e cila ndërmerr masa.

“Për dallim nga Mickoski, në kohën e të cilit nuk kishte krizë, por çmimi i rrymës u dyfishua, dhe ai filloi biznesin me hidrocentrale të vogla. Institucionet e udhëhequra nga LSDM në krizën më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë, marrin një sërë masash për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë. Prodhimi vendas i energjisë elektrike është rritur në maksimum. Shteti subvencionon energjinë elektrike për qytetarët, në fakt mbi 80 për qind, kurse familjet paguajnë rreth 20 për qind të çmimit. Derisa LSDM merr masa konkrete për t’u përballur me krizën energjetike, Mickoski përhap gënjeshtra dhe asgjë tjetër”, thonë nga LSDM.

Kujtojmë se Maqedonia tashmë ka shpallur gjendjen e krizës enegjetike, ndërsa nga muaji shtator fillon dhe kursimi i energjisë elektrike nga institucionet shtetërore.