Telegrafi

LSDM: Kujdesemi për të gjithë qytetarët, sidomos për kategoritë më të rrezikuara

Partia maqedonase në pushtet LSDM, përmes një kumtese për media thekson se “si parti e përgjegjshme vazhdon me realizimin e masave dhe politikave të cilat sigurojnë standard më të mirë jetësore për të gjithë qytetarët”.

Ata thonë se në këtë drejtim janë edhe ndryshimet në Ligjin për përmbarim i miratuar në Kuvend me të cilin përveç që ulet pjesa për përmbarim, tërësisht përjashtohet përmbarimi i kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.

“Tërësisht përjashtohen nga përmbarimi të ardhurat e qytetarëve që janë shfrytëzues të ndihmës së garantuar minimale nga mbrojtja sociale, të ardhurat e fëmijëve në pajtim me ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe të ardhurat për siguri sociale të personave të rritur. Kjo do të thotë përfundim i përmbarimit të detyrueshëm për qytetarët e rrezikuar social, ndërtojmë shoqëri korrekte dhe të drejtë”, thonë nga LSDM.

Ata shtojnë se në pajtueshmëri me Ligjin për përmbarim në vend të vlerës së deritanishme prej 1/3 e të ardhurave, tani ai ulet në 1/5 e pagës mesatare apo pensionit./Telegrafi/