Telegrafi

LSDM: BE dhe NATO nuk janë shpresë e rreme siç thotë Mickoski

Sipas partisë maqedonase në pushtet LSDM, BE-ja dhe NATO-ja nuk janë shpresë e rreme siç thotë Mickoski, por interes strategjik që sjellin përfitime për të gjithë qytetarët.

“Hristijan Mickoski sot lëshoi edhe një mundësi që të kyçet drejt shumicës së qytetarëve dhe të bëjë thirrje të dalin në referendum për të ardhmen e Maqedonisë, të orientohet qartë për anëtarësim në BE dhe NATO me identitet të mbrojtur maqedonas”, thonë nga LSDM-ja duke bërë thirrje të gjithëve të bashkohen për çështjen kryesore për ardhmërinë e Maqedonisë”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas LSDM-së anëtarësimi në BE dhe NATO nuk është “shpresë e rreme” siç deklaroi sot Mickoski.

“Bëhet fjalë për ardhmërinë e shtetit, për ardhmërinë e fëmijëve tanë, të gjithë qytetarëve dhe ju bëjmë thirrje në seriozitet për këto momente historike”, kumtojnë nga LSDM-ja duke shtuar se anëtarësimi në NATO dhe BE është interes kryesor shtetëror dhe kombëtar i shumë gjeneratave, i vendosur në ditën kur Maqedonia fitoi pavarësinë.

Ata shtojnë se OBRM-PDUKM-ja duhet të lirohet nga e kaluara e errët, dhe të mos jetë e ngulfatur në, siç thotë LSDM-ja, kriminalitetin e Nikolla Gruevskit  dhe udhëheqjes së mëparshme e OBRM-PDUKM-së.

Në fund LSDM-ja shton se e gjithë Maqedonia duhet të bashkohet për hyrje në NATO dhe BE.

“Mirë është edhe për OBRM-PDUKM-në, për anëtarët e saj dhe për vet Mickosit që sa më parë të bëjnë thirrje të dilet në referendum, të bëjnë thirrje për hyrje në BE dhe NATO me identitet të mbrojtur maqedonas”, thuhet në fund të kumtesës së LSDM-së./Telegrafi/