Lidhja Demokratike u bën thirrje qytetarëve të demonstrojnë “disiplinë të çeliktë” në zbatimin e vendimeve të qeverisë, udhëzimeve dhe rekomandimeve që synojnë parandalimin e përhapjes së coronavirusit – COVID 19, si dhe sigurimin e funksionimit normal të funksioneve bazë të shtetit, të rëndësishëm për zvogëlimin e ndikimeve negative për ekonominë.
“Respektimi i vazhdueshëm i masave për të parandaluar përhapjen e epidemisë nënkupton një luftë të suksesshme kundër virusit dhe për një afat të shkurtër, normalizimin e jetës së qytetarëve.
Së bashku me masat parandaluese, duhet të rriten kapacitetet shëndetësore, duhet të monitorohen terapitë e verifikuara shkencërisht për trajtimin e të infektuarve, të sigurohen mjete dhe pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, ndërsa rekomandimet për qytetarët se si të veprojnë në një epidemi duhet të publikohen vazhdimisht.
Në lidhje me masat ekonomike, ne sugjerojmë që ato të ndërmerren në bazë të një analize të thelluar dhe në konsultime shkencore, ekspertëve dhe biznesmenëve dhe shoqatave të tyre.
Ndihma shtetërore dhe përfitimet duhet të mbulojnë të gjitha kompanitë që vuajnë dëm nga masat e marra në mënyrë që barra të shpërndahet në mënyrë të barabartë për të gjitha subjektet”, thuhet në deklaratën e LD-së.
Nga atje shtojnë se në këto rrethana të vështira, pagat e të gjithë punonjësve në sektorin privat dhe publik duhet të mbahen ose të ulen me përqindje minimale, duke u dhënë kështu qytetarëve mundësinë për të mbuluar kostot në rritje të ushqimit, ilaçeve dhe pajisjeve mbrojtëse./Telegrafi/