Përmes një komunikate dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja për Reforma – PDSH konsideron se universiteti “Nënë Tereza” është ”një mashtrim para zgjedhor i pakapërbijshëm!”
Në komunikatën e kësaj lëvizje, mes tjerash thuhet se ”cirku politik i Qeverisë së Maqedonisë dhe sidomos “Cirku i adoleshentëve të BDI-së”, nëpërmjet kuaziprojekteve në sferën e arsimit siç është Universiteti “Nënë Tereza”, po tenton të defokusoj vëmendjen e opinionit publik shqiptar nga gjendja e vështirë e shqiptarëve, dhe sidomos nga dështimet e njëpasnjëshme të këtij subjekti politik, për 15 vite me radhë. BDI, e cila “de jure” udhëheq me MASH, me një Ministër arsimi pa përvojë, që akoma nuk njeh gjuhën standarde shqipe dhe kazermës i thotë “kasarna”, ndërsa ka pranuar të drejtojë këtë dikaster, “de facto” po na e gatuan edhe dështimin e radhës po në këtë sferë dhe po me të njëjtat metoda që tanimë i kemi të njohura vite me radhë.
Universiteti “Nëna Terezë” si një projekt politik në letër, sa i përket mënyrës së organizimit të funksionimit të tij, tash për tash nuk ia kalon as edhe organizimit të funksionimit të një çerdheje fëmijësh. Me këtë tentohet vetëm të rehabilitohen epshet e interesave grupore dhe klanore të të pakënaqurve, ndërsa për qytetarin paraqet edhe një keq-përdorim të shpresës së tij se do të përmirësohet arsimi sipëror!
Pasojat e testimit ekstern do të sjellin pasoja afat-gjate për arsimin, ndërsa edhe loja për themelimin qesharak të këtij institucioni të arsimit sipëror, është e pakapërbijshme. Është absurd institucional dhe jashtë çdo logjike intelektuale, të mendohet që të shpallet konkurs për stafin akademik për UNT, për të filluar viti akademik, pa pasur as paratë, as objektin, as studentët e asgjë tjetër që shoqëron funksionimin e një institucioni të mirëfilltë të arsimit të lartë siç është Universiteti. Këtë është duke e bërë vetëm BDI, sepse qëllimi i saj është pikërisht ai i sistemimit të ish funksionarëve të lartë të saj në këtë Universitet, pastaj punësimi i të afërmeve të tyre në vendet për administrator dhe çështje teknike në Universitet, si dhe keqpërdorimi i një numri të konsiderueshëm të studentëve të natyra e të ndryshme.
LR-PDSH do të denoncojë çdo mashtrim të mëtejshëm të BDI-së, siç është edhe loja apo cirku politik i rradhës i quajtur Univerziteti “Nënë Tereza”. Kërkojmë transparencë institucionale për çdo veprim të mëtutjeshëm lidhur me këtë institucion arsimor. Në të kundërtën do detyrohet që nëpërmjet mekanizmave juridik të kërkoj përgjegjësi për të gjitha këto manipulime që u bëhen shqiptarëve duke prekur indin më vital të tyre, arsimin dhe rininë shqiptare.”(sic)/Telegrafi/