Site icon Telegrafi

LR – PDSH: Pse Autostrada “Arbën Xhaferi” nuk është ndërtuar as edhe një milimetër në pjesën e Maqedonisë?

Lëvizja për Reforma – PDSH, ka reaguar për mosfillimin e punëve për autostradën ”Arbën Xhaferi”. Në komunikatën dërguar Telegrafit Maqedoni, thuhet: „Ndërtimi i Autostradës lidhëse mes Prishtinës dhe Shkupit, ishte projekt i përbashkët i dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë.“

Mes tjerash, kjo Lëvizje thotë:

„LR PDSH i bën thirje Qeverisë së RM-së, BDI-së dhe zv. Ministrit shqiptar të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën, ashtu siç zbatojnë Marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë. Ndërsa palës shqiptare në qeveri, BDI-së, i sugjerojmë që urgjentisht të braktisin koktejet dhe ahengjet që organizojnë, dhe të këmbëngulin në realizimin e projekteve me interes strategjik dhe ekonomik për vendin. Autostrada “Arbën Xhaferi” do të intensifikojë dhe afrojë më shumë shqiptarët e Maqedonisë me ato të Kosovës, do të nxisë zhvillim të gjithmbarshëm, ndërsa do të ndikojë edhe në rritjen e efikasitetit të qarkullimit dhe lëvizjes së mallrave.

Është koha e fundit, që të realizoni sëpaku një projekt me interes për shqiptarët, përpara ikjes nga skena politike si një garniturë qeverisëse që dështuat në mbrojtjen dhe artikulimin e interesave të atyre që përfaqësoni.“/Telegrafi/

Exit mobile version