Përmes një komunikate, Lëvizja për reforma – PDSH, bën të ditur se do të mbështetë çdo protestë që organizohet në frymën kombëtare, njofton Telegrafi Maqedoni.
Komunikata vjen disa ditë para se të mbahet protesta e 9 majit, që organizohet nga Këshilli Opozitarë në Shkup, çka lë të kuptohet se kjo lëvizje, sipas të gjitha gjasave, do t’i bashkangjitet kësaj proteste.
Komunikata mes tjerash thotë ”LR-PDSH e udhëhequr nga parimet e saj për mbrojtje dhe artikulim të drejtë të interesave kombëtare shqiptare, mbështet dhe do të mbështesë çdo protestë që organizohet në frymën kombëtare, me flamuj kombëtar dhe në interes kombëtar të shqiptarëve, për barazi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të realizuar përcaktimin strategjik të shqiptarëve, integrimin e vendit në NATO dhe BE.
Nuk hezitojmë ta themi dhe as ta përsërisim se: LR-PDSH është e gatshme të mbështesë dhe të bashkërendojë forcat me çdo subjekt politik që ka si orientim mbrojtjen dhe artikulimin e drejtë të interesave kombëtare, sa herë që do nevoja, ku do që do nevoja, gjithmonë në interes të shqiptarëve.
Edhe pse shqiptarët dalin në zgjedhje, zgjedhin përfaqësues që të përfaqësohen, sërish janë të pambrojtur, përdoren si mish për top, flijohen dhe dënohen, ju montohen procese dhe terrorizohen nga aksione policore maqedonase sa herë që pushteti ka nevojë për të shpërqëndruar vëmendjen e opinionit që ti shmanget llogaridhënies dhe dështimeve të gjithëmbarëshme.
Gadishmërinë tonë e kemi shprehur dhe do të shprehim jo vetëm në mënyrë deklarative, por në mënyrë konkrete dhe të drejtpërdrejt.”/Telegrafi/