Për sot BDI ka paralajmëruar konventë për shpalosjen e projekteve dhe platformën politike. LR-PDSH me një komunikatë drejtuar Telegrafit në Maqedoni në mes tjerash thotë se BDI ka dështuar dhe tani mundohet të mbulojë dështimin
”Cirku i tubimeve që organizon Bashkimi Demokratik për Integrim për të promovuar projektet e (mos)realizuara, me sa duket po i afrohet “kulminacionit”. Sot do të ndodh promovimi i shumëpritur i gënjeshtrave pa fund.
Sipas paralajmërimeve të Shtabit qëndror të BDI-së, qeverisjen VMRO-BDI (2014-2016) do ta shpallin të suksesshme, me të arritura “spektakulare”, ku nga 1081 projektet e premtuara në vitin 2014, gjoja kanë realizuar 80% të Programit!!! Që i bie të kenë realizuar nga 2 projekte në ditë, duke shëndrruar në ditë pune edhe pushimet vjetore, festat dhe uikendet!!! Opinioni publik në Maqedoni ka të drejtë të dijë të vërtetën. Mandati i kaluar i BDI-së, shënoi dështim për Guiness, përshkak se efekti i realizimit ishte vetëm 2.2% apo 24 projekte. Ndër ta, si projekt i realizuar llogaritet edhe çesma e ujit për pije në Zhelinë! Në fakt, të gjithë Komunat shqiptare pa përjashtim, ngelën duarbosh. Sërish shqiptarët do të vuajnë për ujë, për stacione të filtrimit të ujit, për ajër të pastër. Infrastruktura rrugore ngeli e papërmirësuar, rrugë me gropa dhe gropa-kraterë gjithandej. Reformat në Arsim shkaktuan kaos, sidomos testimi ekstern ishte histori dështimi shumëdimensionale. Reformat në Shëndetësi lanë pacientët pa shërbyer, pa nxemje, pa shtretër, pa barna, pa trajtim mjekësor. Në Kulturë ngelëm më të diskriminuarit. Subvencionet në Bujqësi?! Çka janë ato! Janë me qindra shtëpi që u dogjën në Kumanovë, janë 864 familje shqiptare që vuajtën, janë me mijëra të rinjë që lëshuan vendlindjen për të mos u kthyer më.
Ky është mandati i fundit i BDI-së, pas zgjedhjeve të 2016-ës, do të pushojnë së realizuari projektet antishqiptare!” (sic) thuhet në mes tjerash në reagimin e LR-PDSH./Telegrafi/