Sonte në Pallatin e Kulturës në Tetovë, LR-PDSH-ja organizoi kuvend në të cilin u zgjodh kryetari i rinisë pranë kësaj partie në degën e Tetovës, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në prani të 270 anëtarëve me shumicë votash, kryetar i rinisë në degën e Tetovës u zgjodh Lumnim Jonuzi, i cili shprehu falenderime dhe premtoi se do të angazhohet edhe më shumë për zgjerimin e kësaj partie deri para zgjedhjeve.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili në fund të takimit i’u drejtua publikut duke thënë se partia e tij nuk është shfaqur në skenën politike për përçarje, por për bashkim dhe këtë më mirë e tregon fakti i “Aleancës për Shqiptarët”. Ai gjithashtu gjatë fjalimit të tij akuzoi BDI-në për gjendjen katastrofale të shqiptarëve, në çdo sferë.
“Ata po mundohen të përvetësojnë shqiptarët, ata gjatë çdo tubimi të tyre partiak thonë se shqiptarët janë të BDI-së, e kemi rastin që me 11 dhjetor kur të vijnë dhe të kërkojnë vota t’i debojmë e t’u themi se nuk kanë as të drejtë morale as politike, që të vijnë e të na lusin për vota”, deklaroi Sela.
Gjatë këtij kuvendi fjalë rasti patën edhe nënkryetari i LR-PDSH-së, sekretari i përgjithshëm, kryetarja e asamblesë së gruas dhe kryetari i degës së Tetovës në LR-PDSH./Telegrafi/