Telegrafi

LR-PDSH: Është bërë traditë që shqiptarëve tu merren paratë me rebalanc buxhetor

Në lidhje me shkurtimet e reja buxhetore me të cilët shumë projekte dhe investime kapitale në zonat shqiptare do të mbeten akoma më të mangëta ose nuk do të arrijnë fare edhe të fillohen,

“Është bërë normale në Maqedoni që gjatë përpilimit të buxhetit qendror, shqiptarët të mos përfitojnë asgjë sa i përket mjeteve të destinuara për investime kapitale. Nga gjithsej 450 milion euro mjete të parapara për investime në infrastrukturë, në vitin 2016, koalicioni qeverisës VMRO-BDI për shqiptarët i ndau jo 115 milion euro, aq sa u takon shqiptarëve, por vetëm 8.5 milion euro. Kjo shumë e cila është e pamjaftueshme për të kryer qoftë edhe një projekt, me rebalancin e parë të propozuar nga Qeveria VMRO-BDI, do të përgjysmohet në 4.5 milion euro. Me këtë mënyrë dinake të ndarjes së mjeteve dhe pastaj tërheqjes së tyre, qeveria VMRO-BDI, objektin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës nuk do të mund të ndërtojë as në 50 vitet e ardhshme. E njëjta vlen edhe për Teatrin e Shkupit dhe Sheshin Skënderbeu, që ngjashëm si dy projektet e sipërpërmendura, ka 8 vite që parashihet ndërtimi i tyre, por assesi nuk ndodh ajo. Këtij modelit të qeverisjes së praktikuar nga koalicioni qeverisës “mashtro, vidh dhe mos realizo”, i ka ardhur fundi. Shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme do të dënojnë keqas kleptomanët që vjedhin dhe dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas”, thuhet në kumtesën për media të L.R.PDSH./Telegrafi