Telegrafi

LR-PDSH i dërgon letër të hapur Parlamentit Evropian

LR-PDSH përmes një letre të hapur për Parlamentin Evropian kërkon që të përshpejtohet në mënyrë urgjente reagimi i BE-së dhe të ndihmohet aktivisht në formimin e qeverisë së re. Nga LR-PDSH përmes kësaj letre kanë vendosur që të informojnë detajisht Parlamentin Evropian për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë. Nga partia thonë se objektivat e turmës ishin krerët e shumicës së re, Ziadin Sela dhe Zoran Zaev, si dhe deputetët e tyre. Sipas tyre, kjo dhunë siç thonë, e koordinuar dhe e pakrahasueshme në çdo Parlament të botës së lirë, rezultoi në më shumë se 100 persona të plagosur, duke përfshirë gazetarë dhe të paktën 10 deputetë, ndër të cilët Sela dhe Zaev ishin të plagosurit më rëndë, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Sela u rrah nga dhjetëra terroristë me çdo gjë që mund të merrnin në duart e tyre, deri në momentin e alivanosjes. Trupi i tij pa ndjenja u tërhoq nëpër korridoret e Parlamentit nga terroristët të cilët e lanë Sela për të vdekur derisa ata largoheshin. Fatmirësisht, Selës iu ofrua ndihmë emergjente mjekësore dhe shpejt u transferua në spital ku tani po shërohet nga fraktura të shumta, plagë dhe hemorragji cerebrale. Disa fotografi të sulmit janë të bashkangjitura. Kërkoj falje për përmbajtjet grafike”, thuhet në letër.

Nga LR-PDSH theksojnë se: i ashtuquajturi president, Gjorge Ivanov dhe OBRM-PDUKM, parti të cilës ai i përket, vazhdojnë të bllokojnë transferimin paqësor të pushtetit duke refuzuar t’i japin një mandat Zaev për të formuar qeverinë e re. OBRM-PDUKM vazhdon të këmbëngulë që vendi të mbajë zgjedhje të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit të vitit të kaluar, rezultat i të cilave e dërgon OBRM-PDUKM-në në opozitë.

Në fund ata i bëjnë thirrje BE-së që të intensifikojë angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të ripohojë përkushtimin e saj të qartë për zgjerimin. Letrën e plotë e gjeni këtu./Telegrafi/