Përmes një reagimi dërguar Telegrafit Maqedoni, Lëvizja për Reforma – PDSH konsideron se ”tentimi për t’i dhënë masovitet tubimeve publike përmes keqpërdorimit të administratës publike është akt jo human, jo politik dhe jo etik.”
Në reagimin e kësaj lëvizje, mes tjerash thuhet se ”megjithëse BDI lëvdohet në mbështetjen e 16.000 administratorëve, dje në Çair, i pamë vetëm 1.000 të rinj. Shtrohet pyetja sa do të ishte pjesëmarrja në këtë tubim sikur mos të kishte kushtëzime dhe kërcnime?
Në Qeverinë e re, ndryshimet rrënjësore do të përfshijnë pikërisht çlirimin nga kthetrat e keqpërdorimit partiak të administratës publike për qëllime të ulëta, ngjashëm si kjo që ndodhi dje në Çair.
LR-PDSH do të implementojë ndryshimet e nevojshme ligjore me qëllim që nëpunësit shtetëror të ruajnë integritetin e vet në vendin e punës, lirinë e bindjeve dhe fjalës, përmes mbrojtjes ligjore dhe sigurisë në vendin e punës.
Njëkohësisht ftojmë shqiptarët që mos të ofendojnë të rinjët që ishin prezent në sallën sportive në Çair. Duhet të kemi mirëkuptim që shumica e tyre ishte e “ftuar” nën kërcnimin se do të largohen nga vendi i punës, apo nuk do të avancohen në karierën e mëtutjeshme. Ndërsa, ata që shkuan me vullnetin e lirë, kanë të drejtën e bindjeve të tyre politike dhe do të jenë të lirë që edhe pas ardhjes së LR-PDSH në qeveri të marrin pjesë në tubimet e BDI-së opozitare pas 11 Dhjetorit./Telegrafi/