Pasi prodhimi i modeleve Elise, Exige dhe Evora përfundoi në vitin 2021, modeli i vetëm i prodhuar nga Lotus në vitin 2022 ishte Emira.
Sa i përket Eletre, SUV-së elektrike të markës me bazë në Norfolk, ajo nuk arriti të futet në linjën e prodhimit deri para disa muajsh, përderisa Type 133, sedani rivalizues i Porsche Taycan nuk do të arrij tek klientët deri në fundin e 2024-shit.
Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, në gjysmën e dytë të vitit 2022 kishte probleme me zinxhirin furnizues, gjë që e ngadalësoi edhe më tepër fazën e dërgesave, raporton Motor 1, përcjell Telegrafi.
Si pasojë e saj, Lotus kishte arritur të bëjë shitjen dhe dërgesën e vetëm 576 veturave vitin e kaluar, një rënie e madhe kjo në krahasim me vitin 2021 kur kishin arritur të bënin dërgesën e 1,566 veturave.
Marka e njohur britanike kishte një humbje prej 167.7 milionë eurove (145.1 milionë funte) në vitin 2022, shifër kjo e cila pasoi një humbje prej 101.1 milionë eurove (86.6 milionë funte) në vitin paraprak. Për t’i ulur humbjet, Lotus do ta zvogëlojë strukturën e saj organizative, duke planifikuar që t’i largojë nga puna deri në 200 punëtorë.
Operacionet e prodhuesit në Mbretërinë e Bashkuar do të ndikohen nga ky vendim, pasi që Lotus për Autocar dhe Top Gear kishte thënë se propozimi për largimin e 200 punëtorëve përket me bazën e saj në Hethel dhe Warwickshire.
Rolet inxhinierike dhe administrative janë kryesisht në shënjestër pasi shkurtimet e vendeve të punës nuk do të prekin stafin në linjën e prodhimit.
Në fakt, kompania pret të montojë një numër rekord veturash në vitin 2023 duke rritur prodhimin e Emira – veturës së saj të fundit me motor me djegie të brendshme – dhe të Eletre SUV të prodhuar në Kinë. /Telegrafi/