Ringjallja e markës Lotus vetëm po shkon duke u përshpejtuar, SUV Eletre ka filluar prodhimin dhe klientët e parë po presin me padurim makinat e tyre. Lotus Evija u bë makina më e fuqishme e prodhimit në botë me motorin e saj me 2,011 kuaj fuqi, dhe tani sedani i parë elektrik me logon Lotus po testohet përpara prezantimit të tij.
I njohur si Type 133, ose Lotus Envya, automjeti bazohet në platformën e modifikuar SEA të furnizuar nga kompania mëmë e Lotus – Geely. Gjatë zhvillimit të Eletre, platforma SEA u modifikua dhe u bë EPA – Electric Premium Architecture, kjo ka shumë të ngjarë të jetë e njëjta platformë që do të përdorë Envya.
Një vëzhgues i makinave me në Kinë fotografoi dy vetura Envyas duke u testuar në rrugët e Kinës. Të dy veturat ishin shumë të kamufluara me mbulesa pëlhure që mbronin pothuajse çdo pjesë të makinave, transmeton Telegrafi.
Ashtu si Eletre, Envya do të përdorë sensorë LiDAR në harqet e rrotave, të cilat mund t’i shohim qartë me kuti mbrojtëse nën kamuflazhin e pëlhurës. Falë disa fotove, ne mund të shohim pultin dhe timonin – të cilat përsëri, duken shumë të ngjashme me dizajnin e prezantuar nga Eletre.
Që të dyja modelet, Eletre dhe Envya do të ndajnë më shumë sesa thjesht dizajnin e përbashkët, ata do të ndajnë edhe sistemin e fuqisë e gjithashtu edhe bateritë. Kjo do të thotë se modeli me performancë të lartë do të ketë 918 kuaj fuqi ndërsa modeli më i thjeshtë do të ketë 612 kuaj fuqi.
Arena EV shkruan se për momentin ne mund të spekulojmë se shifrat e performancës do të jenë pak më të mira me formën më aerodinamike të Envya dhe ndoshta do të ketë edhe peshë pak më të ulët.
Makina është tashmë në fazat e saj të vlerësimit të testimit, dizajni veçse është vendosur, dy makinat që shohim në foto po kalojnë kalibrimin e sistemeve – navigimi, sensorët ADAS dhe softueri janë duke u vënë në ritmet e tyre për t’u siguruar që gjithçka po funksionon ashtu siç duhet. Lotus Envya do të lansohet vitin e ardhshëm dhe duket se do të jetë një tjetër veturë fitimprurëse për kompaninë. /Telegrafi/