Telegrafi

Lothar Matthaus me kritika të ashpra për Toni Kroosin

Është mësuar gjithmonë të dëgjojë lavde për atë që bën në fushën e lojës, por ndodh që Toni Kroos të përballet edhe me kritika.

Mesfushori gjerman ka përfunduar në shënjestrën e Lothar Matthaus, që në një intervistë për Kicker ka kritikuar jo pak stilin e lojës së futbollistit të Real Madridit.

Ish-futbollisti i Gjermanisë, Bayern Mynihut e Interit, ka deklaruar se nuk i pëlqen aspak stili i lojës së Kroos, duke shtuar se sa herë që gjermani prek topin, aksioni humb ndjeshëm shpejtësinë.

“Nuk kam asgjë personale me Kroos, por nuk më pëlqen stili i tij i lojës. Nuk është më në lartësinë e më të mirëve. E kemi parë edhe në Evropian dhe nuk bëhet fjalë vetëm për shpejtësinë e futbollistit, por edhe atë të përdorimit të topit. Bën mjaftueshëm mirë me një apo dy prekje, por sa herë që ai merr topin, aksioni ngadalësohet ndjeshëm dhe loja humb ritmin”, u shpreh Matthaus.

Mesfushori Toni Kroos iu bashkua përfaqësueses gjermane në 2010-ën dhe që atëherë luajti plot 106 ndeshje, teksa menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian, njoftoi tërheqjen nga kombëtarja, me arsyetimin se dëshiron t’i dedikojë më shumë kohë familjes.

Futbollisti 31-vjeçar ia doli të shpallej kampion bote me Gjermaninë në verën e vitit 2014 dhe gjithashtu numëron tituj të shumtë me Bayernin e Mynihut dhe Real Madridin. /Telegrafi/