Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli
Një natë, në brigjet e Nilit, një krokodil dhe një hienë gjenden përballë njëri-tjetrit. Të dy ndalen dhe përshëndeten.
Hiena e pyet krokodilin:
– Si ia kalon, zotëri?
– Shumë keq, – përgjigjet krokodili. – Shpesh më mbyt brenga dhe dhimbja dhe shkrihem në lot. Atëherë krijesat e tjera, tej e këtej, druhen dhe thonë: “Kujdes, janë lot krokodili!”. Ja, kjo gjë më lëndon aq shumë sa nuk di ç’të të them, moj motër.
Atëherë, fjalën e merr hiena dhe thotë:
– Ti, i dashur, po flet për dhimbjen dhe për brengën tënde, por, ah, ta dish se ç’ndodh me mua. Unë kundroj bukuritë, mrekullitë dhe çuditë e kësaj bote dhe mbushem me gëzim e qesh. Nuk e mbaj dot gazin dhe qesh, siç qeshin ditët. Por, banorët e xhunglës, kur dëgjojnë të qeshurën time, tërë ironi, thonë: “Hëm, ja, kjo është e qeshura e hienës!”