Pavarësisht nga ajo që ju mund të mendoni në lidhje me mediat sociale, ato mbeten një “mikrofon global” për njerëz si Yeonmi Park të tregojnë historitë e tyre.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Park u arratis nga Koreja e Veriut, kur ajo ishte 13 vjeç me nënën e saj.
Tanimë ajo është bërë një zëdhënëse për të drejtat e koreano-veriorëve që ikin drejt “vendeve të paimagjinueshme”.
Park foli në Samitin “The One Young World” dy vjet më parë. Por tani thuhet se 65 milionë njerëz kanë dëgjuar historinë e saj.
Dhe kur ta shihni edhe ju, do ta kuptoni pse.
Fjalimi i saj do të ju lë pa fjalë, derisa tregon ferrin nëpër të cilin ajo kaloi dhe rrëfen se si terrorizohen koreano-veriorët.
Përmes lotëve ajo rikujton disa momente pikëlluese, gjatë kohës së saj në Korenë e Veriut, duke përfshirë edhe momentin kur ajo kishte parë nënën e shokut të saj duke u ekzekutuar, kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe.
Gruaja në fjalë ishte ekzekutuar vetëm e vetëm se kishte shikuar një film të Hollivudit.
“Koreja e Veriut është vendi i vetëm në botë që ka ekzekutuar njerëzit, vetëm sepse bënin telefonata të paautorizuara ndërkombëtare”, thotë ajo.
Ajo ka lindur në vitin 1993. Babai i saj vdiq në Kinë, pasi u strehuan Korenë e Veriut.
“Unë duhej ta varrosja në orën 3 të mëngjesit në fshehtësi. Unë isha vetëm 14 vjeçe. As nuk mund të qaja, kisha frikë se do të më kthenin në Korenë e Veriut”, rrëfen me lot ajo, përcjell Telegrafi.
“Ditën kur u largova nga Koreja e Veriut, e pash nënën time të përdhunuar. Përdhunuesi ishte një trafikant kinez. Ai më shënjestroi mua, unë isha 13 vjeçe. Ka një thënie në Korenë e Veriut: ‘Gratë janë të dobëta, por nënat janë të forta’. Nëna ime i lejoi vetes të përdhunohej, për të më mbrojtur mua”.
Pjesa më pikëlluese e fjalimit të saj ishte historia e arratisjes së saj.
“Mongolia ishte momenti ynë i lirisë. Vdekje ose dinjitet. Të armatosur me thika, ne kemi qenë të përgatitur për të vrarë veten në qoftë se ne do të detyroheshim të ktheheshim në Korenë e Veriut. Ne kemi kërkuar të jetojmë si njerëz”.
“Njerëzit nuk meritojnë të jenë të shtypur vetëm për shkak të vendlindjes së tyre”.
Tanimë thuhet se Yeonmi është e vendosur në Nju Jork, ku ajo është duke studiuar ekonomi në Universitetin Kolumbia.
Ajo gjithashtu shpreson për të gjetur dashurinë e saj, të martohen dhe të kenë fëmijë një ditë. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=ufhKWfPSQOw