Moderatorja e njohur shqiptare, Alketa Vejsiu, ka tejkaluar kufijtë me suksesin e saj.
Pas prezantimit të një sërë formatesh të suksesshme në Shqipëri, përfshirë Festivalin e RTSh-së së fundmi, ajo është përzgjedhur si njëra ndër 10 gratë që do të prezantojë në festivalin e Sanremos 2020.
Këtë gjë e bëri të ditur vet moderatorja Vejsiu përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Instagram, ku tregonte se po e përjetonte me lot gëzimi një lajm të tillë.
“Po qaj me lot gëzimi! Është dita më e lumtur e karrierës sime! Faleminderit Shqipëria. Faleminderit Italia”, ka shkruar Alketa në Instagram.
Festivali i Sanremos përndryshe është festivali më i vjetër në Evropë dhe një nga më të njohurit.
Ky festival madje ka qenë frymëzim për krijimin e konkursit të famshëm evropian, “Eurovision Song Contest”.
Jo të paktë janë shqiptarët që më parë kanë prekur festivalin e Sanremos, duke kujtuar këtu këngëtarët e famshëm shqiptarë: Elsa Lila, Ana Oxa dhe Ermal Meta.
Ky i fundit fitoi Sanremon në vitin 2018 dhe po atë vit përfaqësoi Italinë në “Eurovision 2018”, me Fabrizio Moro. /Telegrafi/