“Kam ardhur në një pikë në karrierën time, ku kam prioritet të marrë kënaqësi dhe të jem pjesë e një klubi ku të ndjehen mirë. Zgjedhja ime për FC Nantes erdhi për shkak se presidenti dhe trajneri më dëshironin me të vërtetë këtu. Unë kam lënë mënjanë mjaft mënyra të tjera për t’u kthyer në Francë. FC Nantes ka një të kaluar të madhe dhe mbetet një nga klubet më të njohura në Francë. Unë e di se klubi, historia e tij, infrastruktura, stadiumi, tifozët… Ato peshuan në zgjedhjen time”, thotë kapiteni kuqezi në intervistën e parë si lojtar i verdhëjeshilëve.
Natyrisht, nuk ka bërë një zgjedhje “pleqërie”, sepse mund të shkonte në katar apo SHBA, por për të vijuar karrierën në nivele të larta, në Europë. Së këndejmi rrjedhin edhe ambiciet e tij personale në këtë “stacion” të karrierës: “Pas katër viteve të gjata në Romë, kisha nevojë për diçka të re. Paramendoj një sezon të rëndësishëm, edhe për vendin tim, në funksion të kualifikimeve të Europianit.”
Shumë shpejt, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet një idhull edhe për tifozët e FC Nantes. E ka dëshmuar këtë edhe më parë, sidomos kur ishte kapiten i Olimpikut të Marsejës. “Njerëzit këtu janë të dashuruar me të vërtetë me klubin e tyre. Kam luajtur kundër FC Nantes, kur ishte ende në krye të renditjes. Kam luajtur kundër FC Nantes edhe në kohët më të vështira dhe kam parë se ka përkrahje gjithmonë nga tifozët. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për një klub futbolli”, thotë Cana, transmeton Telesport.
Nuk do të jetë shqiptari i vetëm në klubin e ri francez. Aty ka gjetur edhe Ermir Lenjanin, bashkëlojtarin në kombëtaren shqiptare, i cili, gjithashtu, mund të quhet “neë entry” te FC Nantes. Në ditët e fundit të gushtit, të merkatos së kësaj vere, anësori kuqezi u transferua nga FC Rennes te FC Nantes, ngaqë nuk gjeti hapësira aktivizimi te ish-klubi i tij.
“Emirin e gjej këtu. Ai është rritur këto dy vjet, që kur është bërë pjesë e ekipit kombëtar. Personalisht, kam qenë mjaft i lumtur që ai ka ardhur në kampionatin e Francës. Në Rennes, atij nuk i ka shkuar si donte eksperienca, por kur mësova se po kalonte te FC Nantes, kam qenë i lumtur për të.
Unë mendoj se këtu Lenjani mund të rifitojë besimin dhe kënaqësinë e të luajturit futboll (…) Pashë se ai ishte i integruar mjaft mirë në grup, edhe pse nuk ka një kohë të gjatë këtu. Ai është një djalë i qetë. Unë do të shmangem së foluri për të, por ngaqë di frëngjisht, duhet ta ndihmoj në këtë drejtim më tepër, në mënyrë që ta mësojë gjuhën shpejt”, shton 32-vjeçari shqiptar.
Në fundjavë, Lorik Cana do të përjetojë emocionet e derbit kundër Rennes, diçka që ndodh shumë shpejt. A do të jetë ai pjesë e kësaj sfide, kjo mbetet në duart e trajnerit të FC Nantes. Megjithatë, kapiteni kuqezi nuk ngurron të flasë për eksperiencat e tjera, të derbeve që ka përjetuar. “E di mirë se çdo të thotë derbi, kam jetuar shumë të tillë edhe këtu në Francë, mes PSG dhe OM, në Turqi mes Gallatasarajit dhe Fenerbahçes, apo në Itali mes Lacios dhe Romës.
Unë kam ditën e parë te FC Nantes, por kur jeton në mjedisin e klubit, ndihesh i përfshirë nga rivaliteti. Në këtë rast, kundërshtari në derbi është Rennes. Për mua kjo është një mundësi e madhe për të konfirmuar vetveten. A do të luaj apo jo? Në vijim është trajneri, ai që do të vendosë nëse do të më aktivizojë menjëherë, ose dëshiron të marrë pak më shumë kohë për këtë. Kam ardhur me dëshirë të madhe këtu dhe mezi pres të luaj”, shton Cana.