Borussia Dortmundi organizoi një ndeshje me dyer të mbyllura të shtunën, vetëm një javë para se të përballet me Real Madridin në finalen e shumëpritur të Ligës së Kampionëve në stadiumin e famshëm “Wembley”, e ku kishte një tifoze të veçantë.
Edhe pse asnjë tifoz apo media nuk ishin të lejuar në stadium, këngëtarja e njohur shqiptare Loredana Zefi, gjeti një vend në shkallët e stadiumit, për të ndjekur nga afër ndeshjen dhe për të mbështetur të dashurin e saj, lojtarin Karim Adeyemi.
Sipas “Bild”, Loredana ishte e vetmja që pati privilegjin të ndiqte këtë ndeshje, së bashku me një shok të Adeyemit.
Dueli i brendshëm i Borussia Dortmundit u zhvillua kundër ekipit U23, i cili garon në kategorinë e tretë të futbollit gjerman.
Në këtë ndeshje speciale, ku mediat ishin të përjashtuara dhe qetësia mbizotëronte, Loredana u vërejt të ishte në gjendje të mirë shpirtërore, duke përshëndetur me buzëqeshje fotografët që prisnin jashtë objektit.
Lojtari 22-vjeçar Adeyemi, i cili kishte patur një fillim sezoni të vështirë me kritika që lidheshin ngushtë me formën e tij dhe lidhjen e tij me Loredanën, u zëvendësua në pjesën e parë të ndeshjes. /Telegrafi/